TIRANE – Dita Ndërkombëtare e Tokës është një nga datat kryesore në Kalendarin Mjedisor Ndërkombëtar. Kjo ngjarje vjetore kremtohet më 22 prill. Në këtë datë në të gjithë botën zhvillohen veprimtari të ndryshme me objektiv në mbrojtjen e mjedisit në mbrojtje të planetit tonë-Tokë. Kjo ditë mjedisore, çdo vit dhe ne vende te ndryshme, ka një slogan, forma të ndryshme organizimi, pjesëmarrje dhe veprime konkrete në mjedis.

Në vitin 2016, Rrjeti Botëror i Ditës së Tokës përzgjodhi si slogan “Pemët për tokën”. Disa miliona fidanë pyjore mbillen ne këtë ditë në 200 shtete, të organizuara nga rreth 22 mijë OJF, ku marrin pjese mbi një miliardë njerëz. Shumë veprimtari të tjera informuese e ndërgjegjësuese ne shkolla, universitete dhe mjedise te tjera publike janë të programuara në këtë ditë.

Dita e Tokës u festua për herë të parë në vitin 1970 dhe tani është e koordinuar në nivel global nga Rrjeti Dita e Tokës dhe përkujtohet në gjithë botën çdo vit. Dita e veçantë e Tokës si dite e miratuar dhe nga OKB, është mbajtur më 22 prill 1970, është propozuar e themeluar në SHBA, nga senator Gaylord Nelson, jo vetëm politikan, por dhe një veprimtar i spikatur mjedisor. Në vlerësim të kësaj nisme dhe shumë veprimtarive të tjera mjedisore të mëvonshme, Nelson është nderuar me “Medaljen Presidenciale të Lirisë”.

Edhe në Shqipëri, pas viteve 1995, Dita e Tokës ka filluar të manifestohet në forma dhe organizata të ndryshme mjedisore. Ka pasur rezultate të prekshme nga veprimtaritë e kësaj dite, ku vëmendja është përqëndruar së shumti tek gërryerja e tokës, si një ndër problemet më të mëdha mjedisore që ka Shqipëria. Erozioni i tokës është kryesisht pasoje e shkatërrimit të mbulesës bimore të tokës, dhe i masave të pazbatuara agroteknike.

Shqipëria është një vend malor dhe pyjet malore, ekosistemet malore, janë burimi i parë i ujit të freskët e të pastër. Ato luajnë funksione të rëndësishme, por në të njëjtën kohë janë nder ekosistemet më të brishta. Malet janë strehë e llojshmërisë biologjike bimore e shtazore të rralla e të pasura. Veç të tjerave, ato përmbajnë burime unike gjenetike, sigurojnë regjim të qëndrueshëm të burimeve ujore, mbrojnë qendrat e banuara dhe sistemin rrugor. (ata)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb