Nga: Aurora Golemi

Kryeqyteti me 1 milionë banorë, ka edhe njerëz të uritur që nuk sigurojnë dot as një vakt ushqimi në ditë. Por në mesin e tyre ka disa me pak më shumë fat, që janë identifikuar nga punonjësit socialë si tepër nevojtarë dhe falë ndihmës së shtetit arrijnë të hanë një pjatë të ngrohtë çdo ditë. Ne ishim në qendren Komunitare të Shkozës, ku menca me tavolina të thjeshta dhe të pastra pret mysafirët e përhershëm… Menca ofron ushqim për 100 të rritur dhe fëmijë të cilët vijnë në qendër sapo mbarojnë shkollën.

Janë 50 fëmijë në nevojë, kryesisht nga komuniteti rom të cilët ushqehen këtu në një orar të ndryshëm nga të rriturit.

Në orën 12.30 pamë të hynin në këtë mencë të moshuarit e vetmuar, gra të dhunuara, persona me probleme të shëndetit mendor por pa rrezikshmëri shoqërore. Ka mes tyre edhe ish-arsimtarë, por që jeta i ka detyruar të harrojnë se ç’kanë qenë…

Dreka shtrohet nga stafi i mences, gra të veshura me përparëse të bardha. Ndajnë me shpejtësi ushqimin që përfituesit t’i gjejnë të ngrohta në pjatë. Kush është shumë i uritur dhe kërkon një pjatë shtesë, kërkesa i plotësohet në vend. Bujaria dhe solidariteti nuk mungon…

Zonja 60-vjeçare e cila nuk dëshiron të identifikohet ka qëlluar me fat se sot në menu ka pjatën e preferuar por rrudh buzët pasi nuk është dita ku shërbehet ëmbëlsirë.

“Po sot është ditë me fat kemi fasule, të preferuarat e mia. Më pëlqejnë shumë kur kemi edhe ëmbëlsirë”,- thotë ajo.

Këto tre zonja i bashkon një hall i përbashkët, varfëria e tejskajshme. Vetëm dy prej tyre përfitojnë pension dhe jetojnë të vetmuara.

53-vjeçarja, Fatime Deliu nuk ka asnjë të ardhur, prandaj frekuenton çdo drekë mencën bashkë me bashkëshortin. As ndihmë ekonomike nuk marrin sepse sipas zyrtarëve, nuk i kapnin pikët për t’u kualifikuar.

“Jetoj vetëm me 97 mijë lëkë të vjetra pension. Burri ka një vit që më ka vdekur. Jetoj e vetmuar”,- thotë zonja.

Është pikërisht kjo mencë ku 2 ditë më parë shkoi kryetari i bashkisë. Nuk mund të rrimë shumë gjatë mes tyre, edhe pse do donim të dëgjonim historitë e gjithësecilit, me qëllimin për t’i ndihmuar sadopak, por jashtë derës së mencës janë mbledhur njerëz të uritur…..sapo dyert hapen, ata ulen dhe fillojnë të ushqehen me shpejtësi, me shpresën se ndoshta do të përfitojnë edhe një pjatë të dytë.. ky është vakti i vetëm i ditës për ta! (News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: