NGA: Aleksandra Kola
Kantautori i talentuar shqiptar Ermal Meta vazhdon garën me këngën ‘Vietatto Morire’ (E ndaluar të vdesësh) në natën finale të Sanremos këtë të shtunë. Teksti i këngës së tij është konsideruar nga kritika italiane si teksti më i mirë i këngëve pjesëmarrëse në Sanremo 2017. Ajo që e bëri edhe më të pëlqyeshëm tekstin e Ermalit, ishte fakti se kishte elementë autobiografikë.
Teksti flet për një baba të dhunshëm, për fëmijën që rritet mes dhunës dhe një nëne që i frikësohet së ardhmes së të birit të saj të frustuar nga dhuna.

Ndryshe nga çfarë mund të mendohet kur dëgjon titullin e këngës, ‘E ndaluar të vdesësh’ është një himn për jetën por edhe një këngë proteste kundër kujtdo që përpiqet ta shkatërrojë jetën me dhunë. “Dashuria e vërtetë nuk lë shenja në fytyrë. Hapi i parë që të largohesh nga vetmia që sjell kjo dhunë është të mësosh të mos bindesh”.

“Është një histori autobiografike por gjëja më e rëndësishme është që ta dëgjojnë të gjithë, dhe ndoshta mund të japë një sinjal shprese për dikë tjetër”, është shprehur artisti shqiptar për mediat italiane teksa komentonte këngën e tij. Në natën e tretë të edicionit të 67 të Sanremos, Ermal Meta konkurroi në kategorinë ‘Kampioni’, ku zuri vendin e parë duke fituar çmimin ‘Cover 2017’. Meta këndoi këngën “Amara terra mia” të kantautorit të famshëm italian Domenico Mudugno. Artisti shqiptar konkurron për të dytin vit radhazi në festivalin e Sanremos. Në 2016 Ermal Meta u rendit i treti në kategorinë e të rinjve me këngën e tij ‘Odio le favole’ (I urrej përrallat).
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb