Ndërsa sot pritet të zhvillohet gjyqi ndaj 11 kuksianëve të arrestuar pas protestës në rrugën e Kombit,
në gjykatën e Apelit në Shkodër, edhe kryebashkiakja Voltana Ademi ka një mesazh publik.

Sipas Ademit, sot gjykata ka rastin të tregojë se është e drejtë me 11 qytetarët e mirë të arrestuar pasi protestuan për të drejtën e tyre.

“11 qytetarë të mirë kuksianë, prej shumë ditësh janë padrejtësisht në burg. Ata mund të ishin shkodranë, lezhjanë, vlonjatë, korçarë sepse të gjithë po vuajmë njësoj arbitraritetin e një qeverisje që vetëm për qytetarët nuk po mendon.

Jemi në një pikë kur duan të na privojnë edhe nga e drejta për të protestuar, për të folur kur dikush po na shtrëngon lakun në fyt ditë pas dite. Është e rëndë ta pranojmë, por janë hapat e parë të instalimit të asaj që menduam se e lamë pas në 1990-ën.

Heshtja jonë, indiferenca jonë e lehtëson mbijetesën e antivlerave. Por nuk do të heshim dhe nuk duhet të heshtim. Gjykatat shqiptare, mes tyre edhe Gjykata e Apelit në Shkodër janë nën një presion shumë të madh politik. Por pikërisht kjo gjykatë ka rastin të tregohet e drejtë, të bëjë drejtësi për 11 kuksianet, 11 shqiptarët e varfër që po përballen me burgosje të padrejtë”, shkruan Ademi.

Në mbështetje të protestuesve sot kanë shkuar edhe një pjesë e madhe e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si dhe qytetarë të shumtë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: