TIRANE- Sot është Kurban Bajrami. Besimtarët myslimanë shqiptarë ashtu si në gjithë botën falën Namazin në sheshin “Skënderbej” sot në orën 06:50.
Kurban Bajrami është festa e dytë e këtij viti në kalendarinë islam dhe pas faljes së mëngjesit, rituali vazhdon me prerjen e kurbanit dhe me vizitat familjaret dhe miqtë për të përcjell urimet për njëri-tjetrit. Kurban Bajrami është ditë që lidhet me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim dhe në këtë ditë besimtarët myslimanë flijojnë edhe një kafshë.

Në ligjëratën përpara besimtarëve, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj tha se kjo është festa e flijimit, sakrificës dhe bindjes së njeriut për tu afruar në besim pranë Zotit. Ai i ftoi të gjithë besimtarët myslimanë të tregohen sa më bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë.

Kurban bajkrami

“Në një ditë të tillë festë në të cilën atmosfera shpirtërore ndihet anembanë, dua t’ju përcjell urimet më të mira, qofshi të gëzuar e në paqe me të gjithë të dashurit e zemrës. Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu i lartësuar. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë. Në këtë ditë feste e gëzimi të Kurban Bajramit u bëj thirrje të gjithë besimtarëve vullnetmirë që të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë qe i kemi dhuratë nga krijuesi ynë, dhe të tregohemi bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë, me jetimët dhe me të gjithë ata që presin përkujdesin dhe vëmendjen tonë. Të jemi më mëshirues e tolerant, duke respektuar njeri-tjetrin dhe të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pa reshtur për të gjithë njerëzimin mbarë. Le të lutemi e të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, falënderimit dhe ndihmës reciproke me synimin e fitimit te kënaqësisë së Zotit. Më lejoni t’ju uroj përzemërsisht të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, Gëzuar Kurban Bajramin me lutjen që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për njëri-tjetrin dhe të ketë paqe e mirësi në çdo fole familjare e shoqërore” shprehet ai.

PROGRAMI I PLOTË I KURBAN BAJRAMIT 2017

05:30 – NAMAZI I SABAHUT (FALJA)

05:45 – KURAN

06:20 – HAPJA

06:25 – LEXIM KURANI

06:30 – FJALA E KRYETARIT TË KMSH-së, H. SKENDER BRUÇAJ.

06:40 – LIGJËRATË – NËNKRYETARI I KMSH-së, z. BUJAR SPAHIU.

06:50 – FALJA E NAMAZIT TË BAJRAMIT

07:00 – HYTBEJA E BAJRAMIT – MYFTIU I TIRANËS, YLLI GURRA

07:10 – ILAHIINFORMACION PER KURBAN BAJRAMIN

Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.

USHQIMET PËR KURBAN BAJRAMIN
Sigurisht përbërësi kryesor që zë vend në tavolinën e festës së Kurban Bajramit është mishi i therur për këtë festë. Mishi nga kafsha e flijuar, ndahet në tre pjesë: Familja mban një të tretën; një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa një e treta e mbetur u ndahet të varfërve dhe nevojtarëve. Zakonisht për këtë festë një nga pjatat që nuk mungon është supa. Supë e thjeshtë me lëng mishi, vezë, limon, pak miell dhe erëza. Byrek me barishte ose vezë dhe djathë, ose vezë me kos
Sigurisht mishi nuk mungon asnjëherë në tavolinën e kësaj feste. I pjekur në furrë me patate ose thjesht i gatuar për t’u vendosur në anë të pjatës me orizin e gatuar.
Sallatat e çdo tipi, me perime të gatuara, të freskëta etj.
Ndërsa ëmbëlsirat më të preferuara janë sigurisht ato tipike turke: bakllavaja, revanija, shëndetlia, sheqerparet, por sigurisht mund ta kaloni gëzuar dhe me ndonjë tortë të blerë apo ëmbëlsirën që preferoni.

Duhet të keni parasysh që në tavolinën e Kurban Bajramit nuk duhet të ketë asnjë gatim me mish derri dhe asnjë pikë alkool.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb