TIRANË- Disi i tërhequr nga jeta aktive politike dhe shpeshherë kritik ndaj liderit të PD-së, Lulzim Bashës, ashtu si Majlinda Bregu, Genc Ruli ka komentuar gjerë e gjatë aksionin opozitar dhe vendimet e të djathtëve për të mos hyrë në zgjedhje deri në krijimin e një qeverie teknike që do ta çonte vendin në zgjedhje.

I ftuar në këndin e “Ekselencës” pjesë e emisionit “Vila 24” në News 24, Ruli ka folur edhe për qëndrimin që do të mbajë PD-ja për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Ri.

“PD është prononcuar me mos prononcimin e saj, nuk ndërhyn në këtë proces”,- tha Ruli duke lënë të nënkuptohet se pavarësisht faktit që PS dhe LSI i kanë lënë derën hapur për propozimin e një emri konsensual, të djathtët nuk do të përfshihen në këtë proces, pa u realizuar më parë kushtet e tyre, për të cilat edhe po protestojnë prej dy muajsh”, tha Ruli siç raporton BalkanWeb.

E ndërsa për thirrjet e ndërkombëtarëve që opozita të lërë çadrën e protestës, Ruli përgjigjet se kjo gjë do të ndodhë kur të mundësohet që zgjedhjet të mos jenë të influencuara as nga droga, as nga paraja.

“Ndërkombëtarët priren nga stabiliteti i kanë dhënë mbështetje edhe Berishës deri në ’96. As nuk duhet t’i fajësojmë, as nuk duhet t’i mbi miqësojmë. Mënyra si prononcohen janë problem i axhendës që kanë. Ata kanë interesat e një shteti që ka edhe një lidership”,- vijoi Ruli.

I pyetur nëse kishte ndonjë gjë në karierën e tij për të cilën ka vendosur të kërkojë sot falje, Ruli përgjigjet: “Falje kërkon kur bën krim ose ndonjë mëkat të madh. Gabim është edhe si e ke ndërtuar një procedurë, por të kërkoj ndjesë do të thotë t’ju kem hyrë në të drejtë njerëzve”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb