TIRANE- Studentët dhe akademikët në të gjithë vendin, do t’i drejtohen sot qendrave të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj të universiteteve. Kryetarja e Komisionit Institucional Zgjedhor (KIZ) të UT, Majlinda Keta, thotë se procesi ka filluar pa probleme dhe po ecën normalisht.

“Komisionet e zgjedhjeve në fakultete kanë punuar për të vendosur bazën materiale dhe ngritjen e vendeve të votimit. Vlerësoj është prezencën e madhe të vëzhguesve. Nuk ka pasur asnjë incident gjatë hapjes së procesit të votimit. Prezenca e bazës materiale ka qenë e plotë. Asnjë nga pyetjet nuk ka patur probleme. Në fakultetin e Filologjisë ka pasur një fluks të lartë studentësh për të votuar. Sa i takon trakteve të shpërndara ne do të bashkëpunojmë me policinë. Me pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë do të mund të identifikohen edhe personat që kanë bërë këtë”, tha Keta.

Nëpërmjet votës do të zgjidhen 14 rektorë në nivel kombëtar, 55 dekanë dhe 155 drejtues departamentesh.

Në Universitetin e Tiranës vullneti i akademikëve dhe studentëve që në këtë vit përfaqësojnë 10% të peshës së votës, do të shprehet në 33 qendra votim, vendosur në fakultetet përkatëse.

Sa i përket procesit të votimit dhe numërimit, monitorimi do të bëhet nga nga 170 vëzhgues mes të cilëve persona të zgjedhur nga kandidatë dhe Këshilli Rinor i Ambasadës së Sheteve të Bashkura të Amerikës në Tiranë.

Komisioni, ka kërkuar bashkëpunimin e policisë së Tiranës për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e votimit.

Drejtuesit e Universiteteve zgjidhen një herë në 4 vjet. Ligji i ri arsimit të lartë, i kufizon rektorët dhe dekanët deri në dy mandate dhe përcakton kritere të reja mbi vetëfinancimin e Universiteteve një çështje që duket se e ka bërë edhe më të fortë garën aktuale.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: