Madridi ka dalë kundër jo vetëm deklaratës së pavarësisë nga udhëheqësi i Katalonjës Carles Puigdemont, por gjithashtu ka refuzuar me çdo mënyrë bisedimet për arritjen e një nënshkrimi të tillë, shkruan BBC.

Zëvendëskryeministri i Spanjës e përshkroi z. Puigdemont si një person “i cili nuk e di se ku është, e ku po shkon”.

Disa zëra nga qeveria e Spanjës e cilësuan deklaratën e Puigdemnt si “shantazh për shtetin të transmetuar drejtpërdrejt në televizion”.

Kryeministri Mariano Rajoy do të mbajë një mbledhje urgjente të kabinetit për të diskutuar hapat e ardhshëm të qeverisë.

Puigdemont nënshkroi një deklaratë të pavarësisë të martën, por ndaloi zbatimin për të lejuar negociatat.

Presidenti i Katalonjës nuk e ka shpallur pavarësinë e njëanshme të rajonit, pavarësisht se deklaroi se Katalonja e ka fituar pavarësinë në formën e Republikës. Ai iu kërkoi deputetëve të pezullojnë deklaratën e pavarësisë duke u shprehur pro bisedimeve me qeverinë spanjolle. 90% e popullsisë së rajonit të Katalonjës i thanë ‘Po’ shkëputjes nga Spanja.

Presidenti Puigdemont deklaroi se Katalonja e ka fituar pavarësinë. “Katalonja ka fituar pavarësinë në formën e një Republike. Nuk jemi kriminelë, nuk jemi puçistë, nuk jemi të çmendur, jemi njerëz normalë që kërkojnë të mund të zgjedhin. Dhe katalanasit kanë zgjedhur me referendumin e 1 tetorit”, tha ai ditën e djeshme.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: