TIRANE– Kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela përmes një statusi në ‘Facebook’ ka komentuar debatet rreth reformës zgjedhore. Ngjela thotë se Rama dhe Basha kanë frikë nga reforma në drejtësi, e cila në vetvete ka edhe reformën zgjedhore. Ai shprehet se Rama dhe Basha janë të kapur nga reforma në drejtësi.

Statusi i Spartak Ngjelës:
Bashkimi Rama – Basha është politikë për progres, apo është dëshpërim dhe frikë nga Reforma antikorrupsion?
Është frikë dhe çoroditje mendore që iu vjen të dyve nga Reforma antikorrupsion.
Këta të dy, kanë që nga muaji maj që po luajnë çdo mjet për të frenuar Reformën; por janë sa të trembur aq dhe naivë.
Rama në fakt priti që PS të mos i merrte në këto zgjedhje 71 vende në Parlament, që, të dy këta pastaj, ta arsyetonin qetë-qetë marrëveshjen e tyre si detyrim për të konstitucionuar parlamentin. Por shqiptarët ua hodhën: ata i dhanë PS-së shumicën absolute prej 74 vendesh në Parlament.
Veçse, bashkimi i tyre po vazhdon në kërkim, që këta të gjejnë mundësinë e bllokimit të Reformës.
Po si?
I.
Tani, menjëherë pas zgjedhjeve, sërish të dy dolën me çështjen e Kodit Zgjedhor, ashtu siç veproi Saliu në muajin prill për të bllokuar Vetingun.
Nuk mund të ketë kod të ri zgjedhor pa përfunduar më parë Reforma në Djetësi.
Duhet kuptuar se Reforma në Drejtësi e përmban brenda vetes reformën në Kodin Zgjedhor, sepse nuk mund t’ia lënë në dorë korrupsionit shqiptar reformën elektorale në Shqipëri.
Po, pse janë lëshuar drejt Kodit Zgjedhor Rama dhe Basha?
Janë të dy të kapur nga Reforma në Drejtësi, prandaj. Tani ata kërkojnë të heqin vëmendjen e opinionit publik dhe të zvarrisin Reformën në Drejtësi, duke menduar se po kryejnë një punë parësore, siç është Kodi Zgjedhor.
Pse nuk e zhvilloi dhe Saliu këtë lojën e ligjit elektoral para zgjedhjeve si pretekst për të bllokuar Parlamentin, dhe njëjerësh të krijonte destabilizimin e Shqipërisë me Çadrën e tij?
Por, a do t’ua pranojë politika amerikanë këtë?
Jo, e kanë krejt të kotë, politika amerikane as që e pyet fare këtë lojë kalamajsh, se ajo ka prioritet të saj në Shqipëri Reformën në Drejtësi.
As Brukseli nuk ua pranon.
Prandaj, Reforma në Drejtësi do të kryhet, se këta nuk kanë më asnjë forcë bllokuese. Madje do të jetë më e lehtë për këta të mos ndërmarrin më hapa të tillë, edhe pse në fakt i kap Reforma.
Reformës në Drejtësi nuk ke çfarë t’i bësh: të gjithë do t’i nënshtrohen patjetër ligjit të vendosur ndërkombtarisht në Shqipëri. Rrugët antireformë janë vetëm në dëm të atyre që i dalin kundër Reformës.
ll.
Çështë ky ligj i ri zgjedhor që po kërkon ta bëjë korrupsioni menjëherë pas zgjedhjeve?
Në fakt kjo është frika e Ramës dhe e Bashës, që duan t’i thonë politikës perëndimore që ne do jemi dhe pas katër vjetësh drejtues në këtë vendi.
Por perëndimorët qeshin, sepse këta “trima” i kap Reforma, dhe shenjat janë se, deri në muajin mars të vitit që vjen, që të tre duhet të jenë nëpër procese.
Në fakt këta po kërkojnë kohë që të gjejnë një aleat nga Lindja. Por në këtë sipërmarrje po tregohen njëri më i paaftë nga tjetri.
Nuk ia arrini dot, o të mjerë! as të zvarrisni Reformën në Drejtësi, dhe as të gjeni një strehë mbrojtëse në Lindjen e korruptuar.
Duhet të kujtohemi edhe për një gjë: edhe Enver Hoxhën reforma antistaliniane e Moskës e kapi, se kishte bërë krime kundrejt popullit të vet, prandaj ai shkoi në Kinë dhe izoloi Shqipërinë, dhe jo përpara ligjit siç shkuan të gjithën stalinianët e tjerë të vendeve të Europës Lindore.
E njëjta gjë edhe sot: frikë nga ligji antikorrupsion kanë dhe “tre mosketirët” e sotëm të korrupsionit shqiptar- Berisha, Rama dhe Basha.
Por këta nuk kanë ku shkojnë. Le të bashkohen. Në këtë rast bashkimi nuk bën fuqinë, por dobësinë maksimale të tyre.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: