TIRANE – Specialisti i peshëngritjes shqiptare, Ferid Berberi, thotë se fenomeni i dopingut në vendin tonë në dekadën e fundit po bëhet shqetësues dhe se kostoja nuk do të jetë e vogël. Berberi tha për “Panorama Sport” se stërvitja shkencore ka humbur dhe se problemi kryesor aktual mbetet disiplina.

“Nëse do të rikthehemi mbrapa në vite, 2006-2007 kam qenë unë që kam bërë oponencë të fortë me presidentin e federatës të asaj kohe Esat Ademin për afrimin e trajnerit bullgar. Aktualisht po vë re që stërvitja shkencore ka humbur. Nuk ka një zbatim korrekt të kritereve dhe parimeve në seancat stërvitore. Duhet disiplinë më e fortë sportive në përgatitjet e peshëngritësve, grumbullime më serioze e sistematike e brenda vendit dhe këto nën kontrollin e rreptë të mjekut sportiv. Realisht mjeku mungon. Jo vetëm kaq, por edhe kërkohet një ndërgjegjësim i të gjithëve, jo vetëm i sportistëve. Kam dëgjuar që përpara Botërorit janë kryer tre kontrolle antidopingu, por lind pyetja se si”, – tha ish-trajneri i kombëtares përpara viteve ’90.

Ndërsa nga drejtuesit e federatës përfliten masat ekstreme për sportistët e përfshirë në doping, Berberi është kundër saj. “Nuk mundet të sillemi ndryshe me sportistët kur fitojnë dhe ndryshe kur përballemi me të tilla situata. S’më duket normale”. Mes të tjerash, Berberi vuri theksin se rastet e përsëritura me doping do të kenë kosto në imazhin e sportit në vendin tonë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: