Nga: Ola Mitre
Regjistrimet për specializimet afatgjata në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë do të fillojnë në datën 9 dhjetor dhe do të përfundojnë në datën 16 dhjetor. UMT-ja ka publikuar udhëzimin, mbi bazën e të cilit do të bëhet ky proces, dokumentet që nevojiten si dhe procedurat e pranimit të fituesve. Për vitin akademik 2016-2017 në total janë miratuar 186 kuota, nga të cilat 42 janë të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë, 9 kuota janë për Ministrinë e Drejtësisë, 1 për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe 129 janë kuota të pambuluara. Ndërkaq, në tabelën bashkëngjitur shkrimit gjeni ndarjen e tyre sipas specialiteteve. Nëse i referohemi kësaj tabele, numri më i lartë i pranimeve shkon për “Mjek Familjeje” dhe “Pediatri” me nga 15 kuota, ndërsa pas tyre vijnë Kirurgjia e Përgjithshme, Mjekësia Interne, Mjekësia e Urgjencës dhe Anestezi-Reanimacioni me nga 10 kuota secila.
Aplikimi
Të drejtën për të aplikuar në programet e specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë e kanë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar studimet në Shqipëri dhe janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave” si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Po ashtu, kanë të drejtë të aplikojnë edhe ata kandidatë që janë diplomuar jashtë vendit në po të njëjtin program, por që kanë kryer njehsimin e diplomës pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Pas aplikimeve përmes dokumentacionit, që e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit, UMT-ja do të shpallë një listë paraprake kandidatësh, me qëllim verifikimin e plotësimit të kritereve, ndërkohë që pas ankimimeve që do të bëhen nga data 18-20 dhjetor, do të shpallet lista përfundimtare e konkurrentëve. Konkurrimi do të fillojë në datën 9 janar me intervistimet me gojë, ndërkohë që rezultatet do të shpallen brenda dy ditësh. Ndërkohë që, testimi i informatizuar do të fillojë në datën 16 janar 2017 për kandidatët që kanë kryer intervistën me gojë, pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Në përfundim të testimit të të gjithë kandidatëve, është komisioni i vlerësimit ai që do të përgatisë listën përmbledhëse të meritës me rezultate kumulative të intervistës, testimit të informatizuar dhe notës mesatare, duke renditur kandidatët fitues. Ndërkaq, zgjedhja e programit të specializimit do të bëhet brenda dy ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare nga vetë kandidatët fitues.

(Shkrimin të plotë e gjeni në Gazeta Shqiptare print)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb