TIRANE-  “Studio e Hapur” në News24 një tjetër debat i fortë është zhvilluar, këtë herë për Tiranën, modelet e qeverisjes së saj dhe këshillin bashkiak. Të ftuar kanë qenë 4 kandidatë për anëtarë të Këshillit Bashkia, Enno Bozdo, PD; Kreshnik Çollaku, PD; Elisa Spiropali, PS dhe Blendi Gonxhe, PDK.

Fillimisht kandidatët janë ndalur në punën aktuale 4-vjeçare të Bashkisë së Tiranës, ku kandidatja e PS-së, Elisa Spiropali tha se nuk është bërë asgjë në 4 vite nga kyetari Basha. Spiropali ka vlerësuar programin e kandidatit të majtë për këtë bashki. “Projektet shumë të rëndësishme dhe do ti japin prioritet gjithë territorit. Në bashkinë e Tiranës nuk është bërë punë. E thonë qytetarët e Tiranës. Është zhvilluar për inerci të së shkuarës jo se ka patur projekte”, tha ajo duke vlerësuar edhe ndryshimet që vijnë me reformën territoriale.

Por është kundërshtuar fort nga Bozdo, i cili numëroi disa prej punëve më të rëndësishme të bëra nga Bashkia e Tiranës. “Nuk kemi të bëjmë me reformë territoriale. Kemi të bëjmë me një ndarje gjeografike të re dhe nuk përkon me instrumentet e administrimit. Në 4 vite, 75 mln euro të hedhura nga bashkia e Tiranës për punësim dhe investim 226 projekte të përfunduar, 49 km rrugë të reja, 19 kopshte dhe shkolla të reja, 60 taksa të hequra. Kosova do të jetë bashkëpunues për të gjitha projektet për qytetin. Por nuk do ti ulet absolutisht dëshirës për kontroll të kryeministrit”, ka thënë Bozdo, duke sjellë si argument për këtë deklaratat e kryeministrit Rama për bashkëpunimin me përfaqësuesit vendorë të PD-së.

Por nga ana tjetër Spiropali tha se nga ana e të djathtëve po zhvillohet një fushatë e egër dhe pa alterantivë. “Kryeministri ka thënë se më i miri i demokratëve është Basha dhe nëse më i miri prej tyre ka dështuar të realizojë premtimet, atëherë imagjinoni çmund të realizojnë të tjerët. Fushatë e egër nga të PD, nuk po dëgjojmë një alternativë për qytetin. ASHE nuk po flet as për qeverinë, as për opozitën, po flet për zgjidhje për qytetin”, u shpreh ajo. Kurse Enno Bozdo tha se kandidati i ASHE-së, Veliaj nuk e ka besimin e kryeministrit Rama. “A ju ka bërë përshtypje se kryeministri nuk flet për zotin Veliaj. As ai vetë nuk ka besim tek kandidati i saj. Projekti i Edi Ramës për Tiranën, është një katastrofë. Shenjat e agresivitetit kanë filluar me retorikën”, tha ai.

Spiropali: Nëse ato premtime nuk janë mbajtur nga zoti Basha si mund të mbahen nga zoti Kosova.

Bozdo: Ai që është menaxher i mirë dhe politik është Kosova. E ka treguar që është menaxher i mirë. Ka një rekord të jashtëzakoshëm zoti Kosova, ka qenë një luftëtar i devotshëm kundër korrupsionit. Kjo është figura që duam për qytetin e Tiranës. Halim Kosova vlerësohet si humanist. Miqtë Halim Kosova i ka të majtë e të djathtë. Kandidimi i tij jo si ambicie politike, jo si kundërshtari i tij.

Spiropali: Hodhët baltë mbi zotin Veliaj pa të drejtë. Zoti Veliaj ka treguar se çfarë mund të bëjë. Ka bërë, ka bërë, ka bërë punë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale.

Bozdo: Veliaj nuk di çfarë thotë. Zoti Kosova figura e duhur për TIranën.

Spiropali: Veliaj ka energjitë për të drejtuar Tiranën. Në MMSR ka bërë reforma të rëndësishme, reformën e pensioneve dhe po paraqet projektin para qytetarëve.

Gonxhe: Kandidati duhet parë për atë çka bën.

Çollaku: Veliaj tha sot nga Lapraka se do tu japë 200 banesa sociale qytetarëve në nevojë. Sot maxhoranca i ka bllokuar. Nuk mund ta mbash të bllokuar dhe ti japësh kur të vish ti në pushtet.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb