TIRANE– Sekretarja për Rininë në PS, Elisa Spiropali ka sulmuar dje kreun e Kuvendit, Ilir Meta, edhe pse pa i përmendur emrin. Por, nënteksti i Spiropalit është kuptuar qartë nga ndjekësit e saj, për shkak se ka përdorur në një postim në “Facebook”, shprehjen e Metës: ‘konsensus patriotik’.

“Nëse do ekzistonte konsensusi patriotik, atëherë nuk do ekzistonin patriotët! Patriotët çajnë male për të kaluar trenin e historisë dhe nuk bëhen mullar së bashku nga frika se i ha bajlozi i matanë oqeanit”, – shkroi Spiropali.

“Më falni, po unë kam shumë respekt për patriotët dhe e kam të pamundur t’i shoh Samiun e Abdylin, Ismail Qemalin apo Fan Nolin, si paraardhës të konsensusit të prodhuar nga trysnia ekstreme e superfuqive aleate, që shkoi deri në paralajmërimin publik të SHBA-ve për futjen në listën e zezë të Presidentit Obama të atyre që sot na tregojnë patriotizmin konsensual! Amerikanët thonë në këto raste: Give me a break! Shqiptarçe thuhet ndryshe, por s’kam konsensusin e partisë për të folur për këtë punë, kështu që po e lë me kaq”, – shkruan Spiropali në rrjetin social.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: