Sulejman Starova i ka përjetuar keq zhvillimet e fundit në kampin e Partizanit. Skuadra nuk funksionon dhe ai nuk heq asnjë presje nga ato që ka thënë dy ditë më parë. Por, natyrisht i është dashur të përballet me një lumë akuzash nga të gjithë skeptikët që mendojnë se ai ende ka ambicie për trajner.

“Bobi” bën një prapakthehu të fortë në raport me deklaratën “katastrofike” për Moxhin dhe e cilëson atë një ikonë të futbollit italian, por nuk ngurron gjithsesi t’ia faturojë atij përgjegjësinë për gjendjen ku është skuadra sot. I revoltuar disi për trajtimin që i bëri media statusit në “Facebook”-un e bashkëshortes, Starova thotë se Partizani e ka ende një shans dhe ndërkohë jep sinjale divorci definitiv me të kuqtë.

“Po mendoj seriozisht t’i paraqes dorëheqjen presidentit Demi si këshilltar. Unë nuk mund të jem vetëm dikush që firmos në bordero dhe nuk kam asnjë mundësi për të thënë fjalën time”, shprehet Starova për “Panorama Sport”. Në fakt, kjo është e vetmja intervistë me tone kaq të ashpra për gazetën në gjithë këto vite…

Starova, çfarë ndodhi pas deklaratës që dhatë për Moxhin?
Ishte një keqkuptim. Ju të mediave u frymëzuat nga statusi që kisha bërë në “Facebook”, por në asnjë moment nuk kam thënë që katastrofën e solli Moxhi. Kam thënë që Partizani në këtë moment është katastrofë.

Mos po tërhiqeni nga ajo që keni thënë?
Aspak. Ju personalisht më keni pyetur pas ndeshjes dhe unë u kam dhënë opinionin tim. Por askush nuk pyeti për këtë, pasi ju referuat vetëm një përgjigje që i kisha dhënë një mikut tim në “Facebook”. Kjo nuk është korrekte, sepse ka ndryshuar konteksti.

Në fakt, dukeni sikur keni ndryshuar ju qëndrim, sepse deklarata juaj ka qenë e shkruar e zeza mbi të bardhë…
E përsëris: Partizani në gjendjen e sotme është katastrofë. Por, nuk e solli Moxhi katastrofën. T’i ndajmë gjërat.

Atëherë Moxhi paska punuar mirë…?
Jo, nuk është tamam kështu. Moxhi dhe stafi kanë përgjegjësi kryesore për gjendjen e skuadrës. Nuk u heq asnjë presje kritikave të mia. Merkaton e bënë ata dhe askush tjetër. Shumica e lojtarëve që sollën nuk janë për Partizanin.

Po atëherë ku është e mira e Moxhit në këtë rast?
Moxhi është ikonë e futbollit italian. Po ju them një sekret: unë jam juventin prej dekadash dhe e kam vlerësuar Moxhin para se të shkonte te Juvja. Kam besim se ai mund të gjejë mënyrën ta rikthejë skuadrën në shinat e duhura.

E keni fjalën për këtë skuadër që është e fundit në renditje dhe nuk ka shënuar asnjë gol…
Po, pikërisht për këtë. E kanë edhe një shans.

Çfarë shansi?
Bëjnë kthesën menjëherë dhe ngushtojnë sa të munden diferencën me Skënderbeun. Në janar pastaj bëjnë “bumin” e madh.

Ky është shpëtimi sipas jush?
Ky është një variant shpëtimi.

Duket sikur jeni penduar për ato që keni thënë?
Aspak. Ju hera-herës jeni provokatorë…

Pse provokim është t’ju pyesësh nëse jeni penduar për kritikat e ashpra ndaj Moxhit…?
Nëse pyet kaq shumë herë për një përgjigje që jua kam dhënë, atëherë po. Doni të nxirrni patjetër diçka, por po ju them me sinqeritet ato që mendoj.

Çfarë mendoni për Iulianon?

Ka përgjegjësi edhe ai për gjendjen e skuadrës. Nuk mund të jetë kaq i pasigurt në momentet kur skuadra nuk funksionon. Përpiqet të mbulojë çdo gjë me spostimin e Trashit në role të ndryshme, por duhet ta kishte krijuar fizionominë e lojës gjatë 40 ditëve që pati ekipin në dispozicion. Duhej të kishte parë se Çani ishte me probleme, Sukaj ende në formë jo të mirë dhe të mos shkonte puna si me Lushnjën që luan Bardhi qendërsulmues….

Ju keni thënë se Iuliano është i paaftë. Është apo jo i tillë?
Jeni fare radikal në gjykim. Nuk ka qenë ky mesazhi që doja të përcillja…

Dakord, por Iuliano, sipas jush, është i aftë apo i paaftë për të drejtuar Partizanin?
Iuliano është një njeri që e njeh shumë mirë futbollin, por që do t’i duhet të qartësojë sa më shpejt mënyrën se si do të luajë Partizani. Nuk është i paaftë. Nuk menaxhoi si duhet periudhën kur kishte kohë për të bërë eksperimente. Madje, duhej ta kishte filluar stërvitjen sa më shpejt.

A ka Starova ambicie për të qenë trajner i Partizanit në të ardhmen?
Nuk kam asnjë ambicie të tillë. E kam dëgjuar shpesh këtë. Unë kam vetëm një ambicie: Partizani të marrë titullin dhe të konfirmohet si klubi më i mirë në Shqipëri.

A keni ambicie ju për të qenë drejtor sërish te Partizani?
Prapë gaboheni. Nuk kam asnjë ambicie të tillë.

Nuk ka pyetje të gabuara, ka përgjigje të tilla…
Dakord, po ju them se nuk kam asnjë ambicie për të qenë drejtor. Unë nuk jam budalla kur flas me tone kritike, por dikush ama duhet t’i thotë disa gjëra që nuk shkojnë.

Ku doni të dilni?
Do të isha shumë më komod nëse në një situatë si kjo do të heshtja. Do të thosha edhe unë frazat e zakonshme “jemi në vështirësi, por do ta kalojmë”. Kjo është mënyra më e thjeshtë dhe kështu nuk merr asnjë kritikë… Por, mua më dhemb Partizani. Është bërë gjithë ai investim në tërë këto vite. Partizani ka qenë deri tani i vetmi klub kundër sistemit. Jam i keqardhur sepse kam thënë me zë të lartë se na e vodhën titullin dy herë dhe askush nuk flet. Askush nuk më mbështeti. Na e vodhën more, u bë një investim i madh për të luftuar Partizanin, duke filluar që nga sjellja e arbitrave. Prandaj ju them se e kisha më të thjeshtë të heshtja se sa të bëja kritika, por ja që jam i pandryshueshëm. Nuk u them dot njerëzve rrugës që unë aty vetëm firmos në bordero dhe nuk e di se çfarë bëhet në klub.

Si është raporti juaj me Gaz Demin?
(Mendohet)… Unë jam këshilltar i tiji, por normalisht të gjitha komandat i ka marrë Moxhi dhe Gazi është nga ata që të lë dorë të lirë. Megjithatë, në situatën ku ndodhemi nuk kam mundur të jap kontributin tim, sepse vendimmarrjen e ka Moxhi. Në këto rrethana po mendoj seriozisht t’i paraqes dorëheqjen presidentit.

Duket sikur jeni shumë i mllefosur?
Nuk jam i mllefosur. Jam një njeri që jetën e tij e ka të lidhur me Partizanin dhe krenohem me të kur gjërat shkojnë mirë, por ndiej peshën e opinionit publik sapo hap derën e shtëpisë. Po jua përsëris: çfarë t’u them njerëzve tani që jemi keq? Mos duhet t’u them se unë marr vetëm rrogën aty dhe nuk bëj asgjë tjetër?! Nuk e bëj dot. Dikush tjetër po, mund ta bëjë, por unë jo. Natyrisht u ndjeva keq kur më faturuan dështimin në Kupat e Europës. Na kishin ikur 5 futbollistë cilë- sorë: Ramadani, Torrasa, Ekuban, Mazrekaj dhe Cetkoviç. Nuk u zëvendësuan. Çfarë mund të bënim më shumë?!

Ish-kapiteni Ocelli thotë se stafi duhet të japë dorëheqjen, ju si mendoni?
E lehtë ta thuash në kësi rastesh dhe nuk kam dëshirë të komentoj qëndrimin e tij. Unë personalisht jam i motos juventine: Trajneri është i fundit që ndryshohet. Kam shpresë se kthesa mund të bëhet edhe ndryshe.

Shumica e zgjedhjeve në merkato janë të Iulianos, ju a mendoni se mund të ishte bëra diçka më mirë?
Po, e drejtë. Shumë lojtarë i ka sjellë ai dhe nuk është se ka qëlluar në shenjë. Unë u rekomandova Takun, por Moxhi dhe të tjerët nuk më dëgjuan. Kishim shanse që të merrnim Souenë, që sot luan me Skënderbeun, sepse marrëveshjen e kishim ne me Kievon që nga transferimi i Ekubanit, por sërish drejtuesit dhe stafi aktual nuk më dëgjuan. Sugjerova Abazajn dhe Bregun e Luftëtarit, por nuk e morën parasysh. Çfarë mund të bëja më shumë?!

A besoni vërtet te kthesa e Partizanit?
Po, shumë.

Po nëse nuk vjen kthesa në javët e ardhshme, çfarë ndodh?
Kthehemi 10 vite mbrapa…/panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: