NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Buxheti i shtetit duhet të paguajë brenda tre muajve rreth 1.5 milionë euro kompensim për tetë pronarë që kanë fituar betejën me shtetin shqiptar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vendimi për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 10.3.2015, për çështjen “Siliqi dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, në shumën 1 498 400 euro, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme, është botuar dje në Fletoren Zyrtare. Përfituesit e rreth 1.5 milionë eurove janë Elvin Lako, Valbona Paluka, Spiro Taba, Andrea Karanxha, Raimonda Trupja, Indrit Osmani, Thanas Verdhi dhe Nazmi Luku. Sipas vendimit, vlera e përcaktuar si detyrim nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut duhet të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

Ndërkohë që, shuma e përcaktuar si detyrim do të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të aplikantëve, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 10.3.2015, për çështjen “Siliqi dhe të tjerë kundër Shqipërisë” (aplikimet nr. 37295/05 dhe nr. 42228/05). Në pikën 4 të vendimit përcaktohet se pagimi i shumës së depozituar, në favor të aplikantëve, Drita Siliqi (Shundi), Mariana Shundi, Andrea Shundi dhe Gjenovefa Mihali (Shundi), të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3- mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.

PAGESAT
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka përcaktuar edhe penalitetet në rast se shuma e kompensimit për pronarët nuk do të paguhet sipas kushteve të vendimit. Kështu, në vendim thuhet se në rast mospagimi brenda afatit tremujor të përmendur në pikën 4 të këtij vendimi, mbi shumat e sipërpërmendura paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huasë së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind. Ndërkohë që, efekti financiar i parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të përballohet nga fondi i kontingjencës të buxhetit të shtetit. Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave duhet të përmbushin detyrimin ligjor për pagesën në kohë të faturës që vjen nga Strasburgu.

DOSJET
Rreth 400 pronarë kanë dorëzuar dosjet në Gjykatën e Strasburgut për të marrë të drejtat mbi pronat e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e dosjeve janë drejt përfundimit të shqyrtimit dhe fatura financiare duhet t’i kushtojë shtrenjtë buxhetit të shtetit. Rreth 250 dosje janë në proces gjykimi dhe pjesa tjetër do të merret në shqyrtim në vitet që do të vijnë. Sipas statistikave, 14% e rasteve në të cilat Gjykata e Strasburgut ka dhënë drejtësi i përkasin Shqipërisë.

LIGJI I RI
Qeveria shqiptare është në procesin e diskutimit të një ligji të ri për kompensimin e pronave, sipas të cilit është parashikuar që procesi i shqyrtimit të dosjeve që janë pa vendim pranë agjencisë do të përfundojë brenda një afati të arsyeshëm minimumi 3 vjet nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa procesi i kompensimit është llogaritur të përfundojë brenda një periudhe prej 10 vitesh. Si garanci për respektimin e këtyre afateve është parashikuar edhe shtimi i organikës në strukturën e agjencisë, ku aktualisht jemi në proces komunikimi zyrtar për vënien në eficencë të kësaj kërkese menjëherë mbas hyrjes në fuqi të ligjit.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: