NGA: ORNELA MANJANI
Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka kthyer kërkesën e qeverisë shqiptare për të paktën pesë dosje dhe nuk ka pranuar versionin e saj për kompensimin, duke sjellë shumë pranë një kolaps fiskal. Vlera e 82 dosjeve që po trajtohen është mbi 550 milionë euro, një faturë kjo e papërballueshme për arkën e shtetit. Qeveria shqiptare rrezikon të paguajë një faturë të kripur për kompensimin e 82 dosjeve për kompensim prone në Gjykatën e Strasburgut. “Myrshit Vorpsi, nga Shoqata Pronësi me Drejtësi, pohoi se Gjykata e të Drejtave të Njeriut nuk ka pranuar kërkesën e qeverisë shqiptare për të kompensuar dosjet në proces në bazë të zërit kadastral 1944, ku toka truall kompensohet si tokë bujqësore”, shkruan “Monitor”.

Gjykata ka kthyer kërkesën e qeverisë shqiptare për të paktën pesë dosje dhe nuk ka pranuar versionin e saj për kompensimin, duke sjellë shumë pranë një kolaps fiskal. Vlera e 82 dosjeve që po trajtohen është mbi 550 milionë euro, një faturë kjo e papërballueshme për arkën e shtetit. Rasti “Rista” (çështja nr.24468/10) është ilustrimi i asaj që pritet të ndodhë me kompensimin e ish-pronarëve. Duke pasur parasysh faktin se në kohën e konfiskimit ngastra e tokës kishte qenë bujqësore, Qeveria propozoi që çmimi i referencës të jetë për tokë bujqësore, dhe në bazë të hartave të vlerësimit të vitit 2014 që duhet të zbatohet, vlera e tokës është 230 lekë për metër katror. Gjykata, për sa u përket aplikimeve nr. 24468/10 dhe 39495/10, vëren se autoritetet kanë njohur të drejtën e ankuesve për kompensim në lidhje me tokën ndërtimore dhe jo të tokës bujqësore apo kullota si të kontestuara nga Qeveria. Vendim i njëjtë është marrë edhe për tri dosje të tjera, si rasti “Karagjozi kundër Shqipërisë”, “Halimi kundër Shqipërisë” etj.

Ish-pronarët, nisur nga këto raste komentojnë se, nëse një gjykatë ndërkombëtare konstaton se Republika e Shqipërisë ka shkelur detyrimin që rrjedh nga një marrëveshje ndërkombëtare dhe, si rrjedhojë, janë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të një personi fizik ose juridik nëpërmjet një ligji ose akti normativ, Gjykata Kushtetuese, me kërkesë, mund të shfuqizojë ligjin ose aktin normativ nëse konstaton se nuk ka mjet tjetër efektiv për të vënë në vend të drejtat e cenuara. Teksa qeveritë shqiptare kanë dështuar në kthimin dhe kompensimin e pronës, ish-pronarët panë si zgjidhje Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe buxheti i shtetit është para një rreziku serioz.

KUSHTETUESJA
Pak kohë më parë, Gjykata Kushtetuese ndryshoi dy nene të ligjit për trajtimin e pronës. Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese thekson se ndalet në vlerësimin e nenit 6 të ligjit objekt shqyrtimi. Kjo dispozitë, në pikat 1 dhe 2, ka parashikuar metodologjinë e vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke përcaktuar:
“a) prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit;
b) prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Vendimet përfundimtare që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, vlerësohen financiarisht, sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, sipas shkronjës ‘a’, të pikës 1, të këtij neni.”

Gjykata vëren se në përmbajtjen e pikave 1 dhe 2 të nenit 6 të ligjit nr.133/ 2015 janë materializuar parimet kryesore të formulës së kompensimit. Pjesa tjetër e nenit 6 rregullon situata të veçanta; si pjesë e metodologjisë së kompensimit gjejnë zgjidhje edhe në dispozita të tjera të ligjit. Në çështjen konkrete për shqyrtim, Gjykata vlerëson se e drejta e ankimit e parashikuar nga ligji nr. 133/2015 i plotëson kriteret për të pasur një kontroll gjyqësor të akteve të nxjerra nga organe administrative ose kuazi gjyqësore. Pretendimi i kërkuesve se nuk duhej parashikuar si shkallë e ankimit Gjykata e Apelit por Gjykata Administrative e Shkallës së Parë si gjykatë kompetente për shqyrtimin e ankimit ndaj vendimeve të ATP-së, nuk është i bazuar. Gjykata thekson se shteti nuk ka detyrim të parashikojë më shumë se një shkallë ankimi, për sa kohë që ka një ankim në një gjykatë të parashikuar me ligj, në kuptim të nenit 43 të Kushtetutës si dhe nenit 13 të KEDNJ-së. Në këto kushte, Gjykata vlerëson se kriteri i kontrollit gjyqësor të akteve të pushtetit publik është i garantuar nga ligji objekt shqyrtimi.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb