TIRANE- Partia Demokratike me sa duket ka një strategji të re, me qëllim dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Burime pranë Partisë Demokratike siç konfirmon gazetarja Elda Menga për “BalkanWeb” thonë se në takimin e kryedemokratit Lulzim Basha me aleatët është vendosur të protestohet nesër tek Ministria e Brendshme.

Po ashtu pritet që të mërkurën opozitarët të marrin pjesë në komisione për të kërkuar dorëheqjen e Xhafajt. Nëse kjo nuk ndodh të enjten ata do të përshkallëzojnë protestën duke bllokuar punimet e Kuvendit.

Të njejtat burime konfirmojnë se nëse ministri i Brendshëm nuk e ka dhënë dorëheqjen deri të enjten, demokratët janë të gatshëm të mos e lejojnë zhvillimin e një seance normale.

Që nga dita kur publikuan dosjen e plotë të dënimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, i cili rezultonte i dënuar si pjesë e një organizate të trafikut të drogës, demokratët kërkuan që ai të dorëhiqet.

Ndërsa ministri reagoi dhe u distancua nga veprimet e vëllait, deputeti i PD-së Ervin Salianji publikoi të tjera prova të forta, një audiopërgjim të vëllait të ministrit me një trafikant.

PD deklaroi se biseda e përgjuar ishte berë në kohën kur Xhafaj ishte ministër, duke shtuar se Agron Xhafaj bënte trafik droge nën hundën e vëllait ministër.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: