Strategjia e re e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor, e prezantuar nga zv.presidentja Federica Mogherini dhe Komisionerit Johannes Hahn, ka përcaktuar tre detyra kryesore për vendet e rajonit: forcmimi i shtetit ligjor, konkurrueshmëria, si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Znj. Mogherini në fjalën e saj theksoi tre drejtime për të cilat BE- do të sigurojë qendrueshmëri në vendet e Ballkanit, duke u përfshirë në strategjinë e aderimit drejt BE-së. Sipas saj, ato janë: ekonomia, siguria dhe migrimi.

“Shumë flasin për perspektivë europiane për vendet e Ballkanit, por këto vende janë tashmë në Europë, duhet të flasim për perspektivë të aderimit në BE”- theksoi znj. Mogherini.

Komisioneri Hahn theksoi se është një mundësi historike për këto shtete që të aderojnë pranë BE-së. “Çdo shtet në rajon duhet të ketë interes që të bashkëpunojë me njëri-tjetrin si dhe me vetë BE-në. Kam një shqetësim që dua ta theksoj, të përmbushen kushtet e kërkuara. BE-ja s’do të pranojë kurrsesi një shtet që ka ende pa zgjidhur çështje konflikti”- tha komisioneri, duke përmendur Kosovën.

Johannes Hahn theksoi se Ballkani ka një potencial ekonomik, por që duhet të përmbushen detyrat sipas perspektivave afatgjata të parashikuara.

Komisioni Evropian njoftoi gjashtë iniciativa sipas strategjisë së miratuar së fundmi, pra veprime specifike që BE do të marrë gjatë viteve të ardhshme për të mbështetur përpjekjet transformuese të Ballkanit Perëndimor në fushat me interes të ndërsjellë.

Këto përfshijnë: forcimin e sundimit të ligjit, bashkëpunimin e përforcuar mbi sigurinë dhe migracionin, zgjerimin e zhvillimeve socio-ekonomike, nisma për lidhje në fushën energjetike dhe të transportit, iniciativa për axhenda dixhitale, si dhe në fund, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo pajtimet mes fqinjëve.

Strategjia e miratuar nga Komisioni Europian me titull “Një perspektivë të besueshme për zgjerimin dhe përforcimin e angazhimit të BE me Ballkanin Perëndimor”, duke konfirmuar të ardhmen europiane të rajonit si një investim gjeostrategjik në një Europë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar bazuar në vlerat e përbashkëta.

Ajo përcakton prioritetet dhe fushat e bashkëpunimit të përforcuar të përbashkët, duke adresuar sfidat specifike me Ballkanin Perëndimor, në veçanti nevojën për reforma themelore dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Një perspektivë e besueshme e zgjerimit kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe reforma të pakthyeshme. Progresi përgjatë rrugës europiane bazohet në merita, i cili varet nga rezultatet konkrete të arritura nga secili vend./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb