NGA OLA MITRE
Studentët e Universitetit të Arteve kanë afat deri në datën 15 mars për të aplikuar, me qëllim mospagesën e tarifës së shkollimit ose reduktimin e saj në masën 50 për qind. Kjo ulje mund të përfitohet nga studentët që ndjekin programet e studimeve me kohë të plotë në Bachelor dhe të ciklit të dytë “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, në të gjitha fakultetet e UART, që vijnë nga një sërë shtresash sociale.

Më konkretisht, sipas urdhrit të rektorit Kastriot Çaushi, në shtresat sociale përfshihen: personat që nuk shikojnë e dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre, jetimët, romët dhe ballkano-egjiptianët.

Gjithashtu, mospagesë ose reduktim tarife në masën 50% përfiton dhe studenti, njëri nga prindërit e të cilit është ndarë nga jeta dhe familja në këtë rast përfiton ndihmë ekonomike nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore, dhe ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga sistemi komunist ose fëmijët me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.

Një kategori tjetër përfituese janë edhe fëmijët e policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, fëmijët e punonjësve të Gardës së Republikës, të punonjësve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të punonjësve të policisë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, kur punonjësit kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës. Reduktim tarife përfitojnë edhe të prekurit nga HIV/AIDS-i.

Procedura
Studentët që aplikojnë për përjashtim ose reduktim nga tarifa vjetore e shkollimit duhet të dorëzojnë një kërkesë, të cilën e gjeni bashkëngjitur shkrimit, si dhe dokumentacionin zyrtar që të vërtetojnë gjendjen e tyre sipas kategorisë së cilës i përkasin. Këto dokumente duhen të dorëzohen te kryetarët e degëve në fakultete, ndërkohë që janë këta të fundit ata që i çojnë dorazi pranë Sektorit të Informacionit dhe Statistikës të UART.

Ndërkaq, në rast se një student mund të përfitojë mospagesë apo reduktim të tarifës, por dokumentacioni justifikues rezulton joligjor, atëherë ai do të përballet me penalitetet përkatëse. Çdo student aplikues, në rast se i refuzohet kërkesa për mospagesën e tarifës së shkollimit ose reduktimit të saj, ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Kategoritë që përfitojnë mospagesë ose reduktim të tarifës vjetore të shkollimit
– Personat që nuk shikojnë e dëgjojnë
– Invalidët e punës dhe fëmijët e tyre
– Invalidët
– Invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre
– Jetimët
– Romët
– Ballkano-egjiptianët
– Studenti, njëri nga prindërit e të cilit është ndarë nga jeta dhe familja në këtë rast përfiton ndihmë ekonomike nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore
– Ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga sistemi komunist ose fëmijët me prindër të dënuar politikë me heqje lirie
– Fëmijët e policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, fëmijët e punonjësve të Gardës së Republikës, të punonjësve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të punonjësve të policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, kur punonjësit kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës
– Të prekurit nga HIV/AIDS-i

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb