Niveli i lartë i euroizimit në ekonomitë e vogla pengon efektivitetin e politikës monetare, por gjithashtu ato ka nxitur përdorimin e euros.

Një material studimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar “Efektiviteti i ulët i politikës monetare në ekonomitë e Euroizuara”, ku studiohet rasti i Shqipërisë thuhet se, efektiviteti i transmetimit të politikës monetare është dëmtuar në nivele më të larta sesa në vendet e zhvilluara nga përdorimi i euros. Ndër pesë autorët e studimit është edhe drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli.

Gjithashtu, studimi ka gjetur se euroizimi përkeqëson rrezikun që mund t’i vijë stabilitetit financiar nga normat e ulëta të interesit.

Dokumenti propozon një sistem monitorimi operacional për të vlerësuar pasojat që ka sjellë euroizimi në politikën monetare nëpërmjet disa variablave.

Në kontekstin e shënjestrimit të inflacionit dhe mbajtjen fleksibël të kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë ndoqi një politikë monetare ekspansioniste për të nxitur rritjen ekonomike.

Duke reaguar ndaj inflacionit të ulët në tremujorin e parë të vitit 2016, Banka e Shqipërisë uli normën e bazë të interesit në nivelin më të ulët historik, 1.25 për qind në maj 2016.

Një pyetje kyçe për BSH-në ka qenë se sa mund të ulet më tej norma bazë e interesit pas këtij niveli. Pyetja është e rëndësishme përderisa shihen rreziqe ndaj inflacionit dhe pritshmërisë ndaj tij.

Gjatë 30 viteve të fundit, normat reale të interesit në botë kanë qenë në rënie. Që nga kriza globale financiare, normat e interesit kanë rënë më tej drejt zeros. Një objektiv i inflacionit prej 2 % do të vendoste normat nominale të interesit mesatarisht në 2 % përgjatë gjithë ciklit. Por kjo mbetet e diskutueshme për Shqipërisë pasi inflacioni është rikuperuar nga nivelet e ulëta të regjistruara në 2016, por mbetet larg nga objektivi prej 3 për qind.

Por ekspertët e Fondit shprehen se ulja e normës bazë të interesit nuk mund të transmetohet në normat e kreditimit për shkak të ngurtësisë të bankave në politikat e tyre të huasë.

Normalisht normat e ulëta të politikës monetare në përgjithësi i transmetohen realitetit ekonomik nëpërmjet normave më të ulëta të huadhënies që në fund të fundit duhet të stimulojnë kërkesën për kredi, rritjes së konsumit dhe investimeve. Norma bazë e interesit synon gjithashtu interesa të ulëta depozitash që inkurajojnë konsum më të lartë dhe kursime më të ulëta.

Megjithatë, bankat nuk mund të ulin normat e depozitave për shkak të rrezikut të ikjes së tyre nga bankat. Gjithashtu normat e interesit për huatë nuk mund të ulen përtej diferencave që bankave u duhet për të ruajtur rentabilitetin.

Studimi thotë se transmetimi efektiv i politikës monetare varet nga struktura e financimit të bankave. Kjo dëshmohet nga transmetimi i normave negative të politikës në Danimarkë, në zonën e euros, Suedi dhe Zvicër.

Megjithatë, dëshmitë ndërkombëtare tregojnë se normat negative nuk u transmetuan në normat e depozitave me pakicë.

Përkundrazi, normat e ulëta të interesit në lekë inkurajuan euroizimin e depozitave në Shqipëri. Pjesa e depozitave në euro u rrit nga 40 për qind në 50 për qind të totalit të depozitave nga 2006 në 2016. Normat e ulëta të interesit të brendshëm rritën euroizimin dhe vunë theksin në dobësitë financiare afatgjata, thotë studimi.

Kjo situate është ka çuar në një rreth vicioz politikën monetare dhe euroizimin. Norma bazë e ulet ka nxitur euroizimin dhe nga ana tjetër euroizimi i lartë ka bëre joefektive politikën monetare. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: