Nga ISIDOR KOTI

Baza ligjore e administrimit të ambienteve të përbash këta të banimit në vendin tonë është mjaft e pasur dhe përqaset me realitetin e duhur të zhvillimit europian e më gjerë. Por, kjo nuk do të thotë se trajtimi ligjor shkon përshtat me realitetin në hapësirë dhe kohësi të një vendi në proces zhvillimi, aq më tepër kur dihet se me çfarë lloj problemesh përballen qytetarët shqiptarë. Spektri i zhvillimit të hapësirave të përbashkëta është mjaft i gjerë dhe kërkon përkujdesje.

Kur një banor blen një shtëpi është e qartë se duhet të paguajë për administrimin e ambientit ku jeton. Por, sikurse ndodh në vendet e zhvilluara europiane, shteti ndërhyn përmes subvencionimit, duke krijuar kushtet e nevojshme për hapësira banimi të përshtatshme. Sigurisht, përmes vjeljes së taksave, të cilat jo domosdoshmërish duhet të merren drejtpërdrejt dhe çdo muaj nga banorët, siç ndodh me administrimin e pallatit.

Hapësirat e përbashkëta të banimit janë hapësira publike dhe sado të përpiqen banorët t’i mirëmbajnë, pa ndihmën e dorës së shtetit është thuajse e pamundur të funksionojë çdo gjë në nivelin e duhur. Që të jem më konkret, një pallat ka nevojë për ndriçim publik, për parkun rrotull tij, për gjelbërimin, për mirëmbajtjen e kanaleve të ujërave të bardha e të zeza, për pastrimin e përgjithshëm rreth e rrotull ambientit. Të gjitha këto kanë një kosto të konsiderueshme dhe nëse bëhet një përllogaritje e thjeshtë logjike, një administrator i caktuar nga asambleja e banorëve, do e ketë të pamundur të kërkojë e arkëtojë shifra të larta për të investuar në këto vepra publike. Po si mund të bëhet subvencionimi nga shteti për hapësirat e përbashkëta të banimit?

Gjatë punës sime, jam përpjekur të kryej ministudime dhe anketime të herëpashershme me banorët e rregullt në pagesat e tarifës së administrimit të pallatit. Pjesa dërrmuese e tyre mendojnë që kjo tarifë duhet mbivendosur në faturat e ujit ose të dritave. Por, edhe kjo ide duket e pamundur, përderisa çdo faturë ka specifikat e veta dhe matja e shërbimeve mbetet gjithmonë e diskutueshme, sipas tagrit që ka caktuar çdo komunitet. Ndërsa pjesa e subvencionimit nga shteti është më e thjeshtë, sepse investimi bëhet direkt nga buxheti i shtetit, i cili në bazë të taksave të mbledhura nga shpenzimet e qytetarëve për mallrat e konsumit dhe shërbimet e tjera, vendos edhe trajtimin e elementëve qenësorë të hapësirave publike në ambientet e përbashkëta të banimit. Logjikisht, çdo banor shpenzon para për të jetuar dhe në çdo shërbim që merr, paguan taksa që shkojnë në favor të shtetit.

Një pjesë e këtyre taksave mund të kthehen mbrapsht në të mirë të shërbimeve publike, të përmirësimit të jetesës dhe mbarëvajtjes së objekteve që ka një qytet. Pavarësisht se hyrjet e një pallati janë pronë private dhe çdo pronar duhet të kujdeset vetë për ambientin që zotëron, kjo nuk do të thotë që pallati është ishull i vetmuar, por pjesë jetësore e qytetit. Është një bashkëveprim interesash publike, të cilat duhet “të mbajnë barrët e njëra-tjetrës”.

Përfitimi është i gjithanshëm dhe shton vlerat ekonomike, kulturore e estetike të ambientit publik. Si mund të realizohet kjo? Gjithmonë ligjet kanë hapësirat e tyre që kërkojnë përmirësime të nevojshme gjatë kalimit të kohës. Prandaj, përmes amendamenteve të herëpashershme, shtesave të ndryshme nënligjore që miratohen nga Parlamenti, mendoj se është koha e duhur për t’i dhënë një zhvillim tjetër hapësirave publike, të cilat kanë kaluar nëpër rrebeshe ndryshimesh anarkike, të pasistemuara, duke e vështirësuar mënyrën e jetesës së qytetarëve. Ndërhyrja e shtetit përmes subvencioneve në bashkëpunim me kontributin qytetar, do të ishte një hap përpara në zhvillimin e territorit.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb