37 civilë kanë humbur jetën duke u djegur në një sulm të kryer nga regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij ndaj një bunkeri në qytezën Arbin në rajonin e rrethuar të Gutës Lindore në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate që ekipet e mbrojtjes civile (Helmetat e Bardha) kanë shpërndarë në rrjetet sociale, mësohet se avionët luftarakë kanë kryer një sulm me bombë me lëndë djegëse “napalm” ndaj një bunkeri ku ishin fsheshur civilë në Arbin të Gutës Lindore.

Të dhënat paraprake theksojnë se si pasojë e sulmit kanë humbur jetën gjithsej 37 persona, nga të cilët shumica janë fëmijë dhe gra.

Civilët në rajon nuk mund të dalin nga bunkerët për shkak të sulmeve ajrore intensive të regjimit dhe Rusisë.

Regjimi dhe mbështetësit e tij që prej 19 shkurtit kanë intensifikuar sulmet e tyre për të marrë plotësisht nën kontroll Gutën Lindore, duke nisur me 3 mars edhe një operacion tokësor.

Në rajonin e Gutës Lindore nën kontrollin e opozitarëve, që prej pesë vitesh jetonin të rrethuar rreth 400 mijë civilë. Siç thuhet, ende ngelet i paditur fati i dhjetëra mijëra personave të cilët kanë migruar në rajonet nën kontrollin e regjimit pasi forcat tij morën kontrollin e disa rajoneve.

Pavarsisht se Guta Lindore u shpall “zonë e deeskalimit” në marrëveshjen në Astana, regjimi i Asadit, për të cilin garantues është qeveria e Moskës, në muajt e fundit ka intensifikuar sulmet duke marrë edhe mbështetje nga forcat ajrore të Rusisë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb