Tre objektiva janë goditur në periferi të Damaskut dhe Homsit, të treja ngushtësisht të lidhura me përdorimin e armëve kimike. SHBA, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë hedhur në veprim natën e djeshme. Ka qenë presidenti i SHBA, Donald Trump, që ka lajmëruar sulmin rreth orës 21.00 me orën amerikane. Një fjalim direkt në televizion, me tre pika kyçe. E para: “Vitin e kaluar, SHBA i janë përgjigjur bombardimit kimik të urdhëruar nga Bashar al Assad, duke shkatërruar 20% të aviacionit sirian.

Të shtunën e kaluar, regjimi i Assadit ka përdorur sërish armë kimike në fshatin e Doumas: një përshkallëzim domethënës i këtij regjimi vërtetë të tmerrshëm”.

Reagimi i SHBA dhe i aleatëve, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar është pra më “i fortë” në krahasim me 2017, sepse është reagim ndaj krimeve të “përbindëshit” Assad.

Pika e dytë, themelore në planin politik: sulmi nuk është drejtuar ndaj Rusisë dhe Iranit, megjithatë Trumpi ka “një pyetje” për këta dy vende: “Cili lloj shteti do të donte të ishte i lidhur me vrasjen në masë të burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm? Rusia mund të zgjedhë nëse do të vazhdojë të zbresë në këtë lloj humbëtire, apo nëse dëshiron të bashkohet me vendet civile si një forcë për paqen dhe stabilitetin. Një ditë, shpresojmë, do të biem dakord me Rusinë, dhe ndoshta dhe Iranin. Ose ndoshta jo”.

Në fund, treguesi strategjik: “SHBA kanë një forcë të vogël ushtarake në Siri, e përqëndruar në eleminimin e ISIS. Amerika nuk është e interesuar për një prani të pafund në Siri. Amerika nuk ka iluzione. Nuk mund të pastrojmë botën nga e keqja. Do të bëjmë më të mirën tonë për të kontribuar për paqen në Lindjen e Mesme. Por fati i atij rajoni është tashmë në dorë të popujve të vet”.

Një orë më vonë, në 22.00 me orën amerikane, Sekretari i Mbrojtjes James Mattis ka mbajtur një konferencë për shtyp në Pentagon. Mattis dhe gjenerali Joseph Dunford, koordinatori i shtabit të forcave të armatosura, kanë dhënë detajet e para mbi sulmin, që zgjati pothuaj një orë. Janë goditur tre objektiva: një qendër kërkimesh shkencore për zhvillimin e armëve kimike në zonën e Damaskut dhe dy depozita, një me gaz Sarin në veri të Homsit. Shefi i Pentagonit ka këmbëngulur për zgjedhjen e objektivave: “Kemi shënjestruar infrastruktura të regjimit sirian, pa përfshirë popullsinë dhe personel të huaj”./corriere della sera–bota.al.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: