Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në Shkodër, ku u tentua të sulmohej me thikë trajneri Ernest Gjoka.

Ademi është shprehur e revoltuar dhe ka dënuar ashpër ngjarjen teksa ka deklaruar për mediat: “Ngjarja e djeshme ishte skandaloze, ishte diçka shumë e rëndë. Të kesh kërcënime, dikush apo disa që përpiqen të cënojnë integritetin, jetën fizikisht numri 1 i bie, trajnerit. Ëështë në kulturën e Shkodrës kjo. Ne do të vazhdojmë me forcë, kushdo të mundohet të përbaltë klubin, Vllazninë, përpjekjet e Bashkisë, përpjekjet e të gjithëve ne për ta ngritur, për të ecur përpara nuk do t’ia arrijë, nuk do të mundet kurrsesi. Ne jemi të hapur, nuk kemi të bëjmë me asnjë që na cënon. E kam dënuar me forcë dhe vazhdoj ta dënoj. Për mua është e rëndë, është e tmerrshme. Dhe nuk ka ndodhur, nuk ka ndodhur në vitin 1997. Dhe fakti që ka një ngjarje të tillë, i bën rëndë qytetit dhe më rëndon personalisht. Nga ana tjetër ne do të ecim në rrugën që kemi nisur për të ngritur klubin e Vllaznisë”, ka përfunduar ajo.

Një ngjarje e paprecedentë dhe shumë shokuese ka ndodhur në fushën stërvitore të “Reshit Rusit” në Shkodër. Trajneri i skuadrës së futbollit të Vllaznisë, Ernest Gjoka, në fundin e seancës stërvitore është sulmuar me thikë nga një person i cili më pas është larguar në mënyrë të rrufeshme.

Trajneri e ka kuptuar se personi i cili ishte i maskuar me një kapuç do ta sulmonte dhe ka mundur t’i shmanget. Për ngjarjen është vënë në dijeni policia e cila menjëherë është vënë në kërkim të autorit.

Tre shtetas në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” janë shoqëruar në polici duke dyshuar se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Ky është rasti i dytë teska edhe njëherë tjetër ka patur tentativë për të sulmuar teknikun Gjoka. Policia po heton për ta zbardhur ngjarjen.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb