Presidenti Donald Trump u është rikthyer komenteve ku fajëson të gjitha palët në përplasjen e dhunshme të së shtunës në Sharlotsvill të Virxhinias ku gjeti vdekjen një 32 vjeçare dhe u plagosën disa të tjerë. Presidenti ka komentuar tre herë mbi këtë incident duke shkaktuar reagime të forta nga të dyja palët në përplasjen me tone të forta racore: Presidenti Trump kishte planifikuar një dalje për median në lobin e Kullës Trump në Nju Jork, për të folur për projektet e administratës së tij për infrastrukturën. Por konferenca e shtypit u shndërrua shpejt në një shkëmbim të ndezur replikash mes tij dhe gazetarëve që e pyesnin presidentin përse i ishte dashur një kohë aq e gjatë për të fajësuar me emër neo-nazistët, Ku Kluks Klanin dhe supremacistët. “Mendoj se të dyja palët janë me faj. Shikojini të dyja palët dhe nuk kam asnjë dyshim se po t’i raportonit ngjarjet drejt, do ta thonit edhe ju të njëjtën gjë,” – tha presidenti.

Me këto fjalë presidenti e bëri të qartë se nuk u përmbahet komenteve të së hënës kur veçonte si shkaktarë të incidenteve grupet e ekstremit të djathtë, duke i cilësuar neonazistët dhe supremacistët e bardhë si “kriminelë e banditë”. Dje presidenti nuk u ndal vetëm tek incidenti i dhunshëm, por bëri komente që dukej se mbështesnin kauzën e protestës së supremacistëve, të cilët ishin mbledhur për të mos lejuar heqjen statujës së Gjeneralit Robert E Lee, një figurë që për shumë amerikanë personifikon regjimin e skllavopronarisë para Luftës Civile: “Pashë të njëjtat xhirime si edhe ju. Në atë grup kishte njerëz që kishin dalë për të protestuar kundër heqjes së një statuje që për ta është shumë, shumë e rëndësishme dhe për të protestuar kundër ri-pagëzimit të parkut Robert E. Lee me një emër tjetër”.

Komentet u mirëpritën nga ish-kreu i Ku Kluks Klanit, David Duke, i cili postoi në Tëitter një koment ku e falenderonte presidentin që sipas tij kishte treguar ndershmëri dhe guxim duke thënë të vërtetën për Sharlotsvillin dhe duke dënuar “terroristët e majtë”. Ngjarjet në Sharlostvill u dënuan gjerësisht nga figura publike që u shprehën se supremacistët e bardhë që kishin marshuar me simbole naziste nuk kishin vend në shoqërinë amerikane. Mijëra vetë janë mbledhur gjatë tri ditëve të fundit para Kullës Trump në protesta. “Përsëri po bëhet një ekuivalencë e tmerrshme morale. Nuk ka dy anë në çdo temë. Nganjëherë ka një anë të drejtë dhe një gabim. Presidenti Trump e ka gabim dhe unë dua të jem ndër ata që ngrenë zërin dhe e thonë këtë,” – thotë një protestuese.

Para Kullës Trump kishte edhe një grup përkrahësish të zotit Trump që mbanin në duar tabela me parullat “Të ndërtohet Muri” dhe “Faleminderit Zotit për Trumpin”./ Zëri i Amerikës

Momenti kur sulmohen protestuesit

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: