Iljia Nestorovski, sulmuesi i përfaqësueses maqedonase në konferencën për shtyp para sfidës me Shqipërinë ka thumbuar portierin e kombëtares kuqezi, Etrit Berishën. Nestorovski është shprehur se gardiani i portës shqiptare nuk është i pakalueshëm.

“Pyeteni Berishën, më duket se me njeh shumë mirë. Disa muaj më parë i kam shënuar një gol në ndeshjen mes Palermos dhe Atalantës”, tha Nestorovski i cili luan me skuadrën e Palermos. 27-vjeçari i referohet ndeshjes së javës së 6 të sezonit të kaluar në “Seria A” ku shënoi në portën e Atalantës në minutën e 89-të që i dha edhe fitoren ekipit të tij, 1-0. Duhet theksuar se sfida në fjalë ishte e dyta për gardianin kuqezi pas transferimit nga Lacio.

“Pas fitores ndaj Izraelit, atmosfera në ekip është në nivelet më të larta dhe shpresoj që të përsëritim një paraqitje edhe më të mirë në duelin e nesërm. Bashkë me kapitenin Pandev, jemi të lumtur që mesfushorët po punojnë në nivelin e kërkuar dhe shpresoj që nesër të kemi pasime në dispozicion nga ata, në mënyrë që të rrezikojmë portën kundërshtare”, shtoi Nestorovski në konferencën për shtyp.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb