Sot në orën 19:00 në stadiumin “Selman Stërmasi” luhet Superkupa e Shqipërisë ndërmjet Kukësit dhe Tiranës. Fituesi i kampionatit, Kukësi, do të tentojë të siguroi trofeun e dytë radhazi të këtij lloji kundër Tiranës e cila sezonin e kaluar përpos se ra në Kategorinë e Parë, arriti të triumfonte në Kupë kundër Skënderbeut.

“Bardheblutë” nuk duan t’a mbajnë mend sezonin e fundit për njollën që u mbeti në histori dhe sonte përveç Kupës së Republikës do të synojnë edhe Superkupën. Duket se trajneri Ze Maria e ka gati formacionin për sfidën, por problemi i vetëm qëndron te mbrojtësi i krahut të djathtë Albi Dokës.

20-vjeçari erdhi mbrëmë në mesnatë nga Islanda ku ishte me Shpresat dhe vetëm sot do të vendoset nëse do të jetë apo jo titullar.

Nëse luan, Sentamu do të jetë “pykë”, në të kundër ugandezi do të zhvendoset në të djathtë të mesfushës. Në majën e sulmit pritet Majkëll Ngoo, por mund të jetë si alternativë edhe Greca, paçka se nuk është sulmues i mirëfilltë.

Qendra e mbrojtjes gjithashtu ka dyshime, Kalu është lojtar shumë herë më cilësor se Uellison, por fakti që ky i fundit ka kryer më shumë stërvitje, ka më shumë shanse që të luajë. Maveje, sakaq, e ka “blinduar” formacionin dhe do ta nisë nga minuta e parë. Skema pritet që të jetë 4-2-3-1.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb