Në fillimin e sezonit nga opinioni sportiv Luftëtari etiketohej si një nga ekipet më të rrezikuara për të dalë nga kategoria. Jo që nuk ndodhi kështu, por gjirokastritët surprizuan me lojën e tyre duke u rënditur në vendin e 5-të me 22 pikë. Për t’i dhënë pak bukuri këtij kampionati që loja e bukur dhe golat i kanë munguar, nuk mundoi askush tjetër përveçse Luftëtarit.

Një meritë të madhe për këtë ka edhe trajneri serb, Mlladen Milinkoviç. Ai është i vetmii i mbijetuar nga 5-së teknikët e huaj që nisën sezonin në Superiore. Por sot ai ka habitur në intervistën e tij për “super sport”. Milinkoviç është shprehur se ekipit i duhen të paktën edhe katër përforcime cilësore, kjo pasi në skuadër nuk i ka më shumë se 14-të futbollistë të denjë për Superioren.

Për kushtet në Antalja
“Për mua është normale që të gjitha skuadrat të kenë kushte të mira për stërvitje, por fatkeqësisht disa ekipe nuk i kanë mundësitë financiare. Ne jemi shumë të lumtur që presidenti ynë e di sesa e rëndësishme është për një skuadër të përgatitet me kushte të mira. Hoteli, fushat gjithçka është ok. Krahasuar me Shqipërinë ku është shumë ftohtë, jemi shumë mirë këtu.”

Për merkaton
“Para së gjithash shumë lojtarë u larguan nga skuadra, po ne po presim të tjerë. Vetëm Lamçja dhe Zguro kanë ardhur nga fillimi, Bojom nuk ka mbërritur sepse është bllokuar në Stamboll nga koha e keqe. Presim 5 lojtarë të tjerë, kemi disa të rinj në provë, por ata nuk janë gati të na ndihmojnë për pjesën e dytë të sezonit.

Me disa lojtarë kemi bërë marrëveshje e presim vizat që të mbërrijnë, me një tjetër kemi kontratë. Nëse vijnë të gjithë, atëherë do të vendosim se në cilin pozicion do të marrim lojtarë shqiptarë. Ne do të përpiqemi të luajmë futboll të bukur në dy fazat e mbetura, por për momentin kemi vetëm 14 lojtarë të aftë për Superligën.

Nëse duhet të mbajmë të njëjtin ritëm, na nevojiten të paktën edhe 4 lojtarë, sepse për pjesën e mbetur do të ketë më shumë kartonë. Duhen 18 lojtarë të aftë për të luajtur në formacion.”

Për shtyrjen e kampionatit
“Ne kemi planifikuar të luajmë më 21 janar. Nëse nuk janë kushtet e mira jam dakord që të shtyhet kampionati. Në kushte të vështira prishen edhe fushat dhe s’do të ketë futboll të bukur. Duhet të mendojmë edhe për futbollistët. Kur është ftohtë s’vijnë as tifozët.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb