* Faktorët ftues në vendet e BE-së, i shtyjnë shqiptarët të marrin rrugën

TIRANË-Numri i daljeve të shtetasve shqiptarë në kufi nuk ka rritje, krahasuar me një vit më parë. Shifrat e shqiptarëve që ka sjellë Gjermania nuk përputhen me daljet në kufi. Kjo ishte deklarata që ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri bëri në një dalje për shtyp duke sqaruar mbi temën e azilkërkuesve.

“Megjithatë dua t’ju bëj me dije ju se nga analiza e të gjitha të dhënave dhe informacioneve që ka Policia e Shtetit, autoritet tona dhe në shkëmbim intensiv informacionesh që ofrojnë vendet partnere, rezulton se shumica dërrmuese e qytetarëve që kërkojnë azil janë shtetas shqiptarë me banim të përhershëm në një nga vendet e BE, pra emigrant shqiptar me banim të përhershëm në një nga vendet e BE që shpërngulen nga ai vend për të kërkuar azil në Gjermani ose në një vend tjetër të BE.
Këtu mjafton t’ju them dhe shifrat janë të disponueshme nga të gjithë ju, mjafton t’ju them se numri i shtetasve shqiptar në 7 muajt e parë të këtij viti nga pikat kufitare të shtetit tonë është rritur me 0.6% të krahasuar me shifrat e një viti më parë, gjë që do të thotë se kërkesat për azil dhe shifrat e deklaruara nga Gjermania apo vendet e tjera të BE, nuk korrespondojnë kurrkund dhe nuk përputhen absolutisht fare me numrin e shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga pikat tona kufitare.

Por në mënyrë që ne të bëjmë një analizë më të hollësishme për këtë situatë, i kemi kërkuar palës gjermane që të ndajë me ne të dhëna të plota në lidhje me vend-origjinën dhe nisjen, itinerarin, rrugën, pikënisjen e të gjithë shtetasve që kërkojnë azil në mënyrë të paligjshme në Gjermani, të dhëna që nuk na janë venë ende në dispozicionin në mënyrë që të bënim një adresim më konkrete dhe një analizë më konkrete të kësaj situate”, tha Tahiri.

Deklarata e Tahirit vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama u shpreh se azilkërkuesit në Gjermabni nuk janë shqiptarë që ikin nga Shqipëria, por janë shqiptarë që largohen nga vende si Greqia.

Në deklaratën e tij sot, ministri theksoi se dikasteri që ai drejton dhe qeveria në tërësi janë të shqetësuar për fenomenin e azilkërkimit nndërsa i bën thirrje opozitës të përmbahet me deklaratat që bën.
“I bëj thirrje opozitës të përmbahet nga cdo lloj keqpërdorimi politik dhe abuziv. Nëqoftëse opozita e ka tepër të vështirë të bashkëpunojë, ndërkohë që qeveria po bashkëpunon për të ndalur këtë fenomen, atëherë të ndalet me këto deklarata që nuk ndihmojnë askënd”.

Tahiri gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e Bashkimit Europian për lëvizjen në zonën Shengen në mënyrë që Shqipëria sic tha ai, të klasifikohet një vend me origjinë të sigurt.

Ministri Tahiri tha se për vendet e BE-së ky shqetësim zgjat prej më shumë se 1 viti. Sipas tij ka pasur fluks emigrator të shtetasve edhe në Shqipëri por ne shifra të përmbajtura. “Kemi komunikuar edhe me agjencitë partnere. Ky problem meriton një zgjidhje evropiane. Në situatën prezente, Shqipëria ka marrë të gjithë masat për tu përballur me çdo lloj shqetësimi që vjen nga kjo situatë. Nuk përfshihet vetëm Policia e Shtetit. Është një situatë që meriton vëmendjen e të gjithëve ne. Kemi kërkuar mbledhjen e përbashkët të ministrave të brendshëm, që ndodhi para pak muajsh. Ku u mor në shqyrtim fenomeni i emigrimit dhe azil-kërkimit të paligjshëm. Kemi bërë thirrje dhe bëjmë thirrje për një qasje të përbashkët”, tha Tahiri.

Ministri i Brendshëm deklaroi se faktorët ftues në vendet e BE-së, nxisin shqiptarët të marrin rrugën, duke kërkuar zhdukjen e tyre, si përpunimi për një kohë të gjatë i kërkesë, pagesa ditore dhe mundësia për të punuar disa orë.

“Duhet të kuptojmë që për shtetasit shqiptarë dhe për qytetarët në vendet e rajonit, faktorët ftues janë në atë pikë sa ti shtyjnë për të marrë rrugën. Përpunimi për një kohë të gjatë i kërkesës, pagesa ditore dhe mundësia për të punuar disa orë. I kemi kërkuar vendeve pritëse zhdukjen e faktorëve nxitës. Ne na rezulton që shumica dërrmuese janë shtetas shqiptarë që banojnë prej vitesh në Greqi ose vend tjetër të BE-së, kryesisht në Greqi. Na rezulton itinerar i konfirmuar”, tha ai.

Edhe njëherë Tahiri shprehu vendosmërinë për ta trajtuar bashkërisht këtë problem.

“Të vendosur që këtë fenomen ta trajtojmë bashkërisht, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Trendi i refuzimeve më i lartë se vitet e kaluara. Kjo do të thotë që kemi nevojë të përmirësojmë në mënyrë drastike analizën e riskut që bëjnë strukturat kufitare në pikat e kalimit kufitar. Kjo sigurisht do të thotë kërkesa rigoroze në kufi. Shkëmbim informacioni me vendet partnere. Eksperienca me policinë gjermane dhe FRONTEX na tregon se policia shqiptare zbaton në mënyrë rigoroze rregullat e intervistimit. Çështje që mbetet për tu parë”, tha ministri Tahiri.

“BalkanWeb” siguron të dhënat për numrin e personave që sipas sistemit TIMS kanë dalë nga vendi ynë.

Image1

DEKLARATA E PLOTE E MINISTRIT TAHIRI PËR ÇËSHTJEN E AZILIT NË VENDET E BE-së
Siç jeni në dijeni, çështja në rend të ditës, jo vetëm për vendin tonë por edhe për vendet e rajonit, ashtu dhe për vendet e BE-së, është emergjenca me emigrantët dhe në këtë kuadër me azilkërkuesit e paligjshëm nga i gjithë rajoni.
Situata e ditëve të fundit në Maqedoni por mbi të gjitha dhe situata që tashmë zgjat më shumë sesa 1 vit në disa vende fqinjë me Shqipërinë, të BE-së, që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si pritës të parë të emigrantëve nga vendet me kriza të thella shoqërore dhe konflikte të forta, përbën një shqetësim që nuk njeh as kufij shtetërorë e as mjaftohet me zgjidhje të pjesshme apo të izoluara, por kërkon mbi të gjitha një bashkim forcash dhe energjish nga të gjitha vendet e rajonit dhe të BE-së.
Në këtë kuadër ne jemi në kontakt permanent me të gjithë autoritetet e vendeve fqinjë dhe më të gjithë partnerët në BE, ashtu siç kemi marrë masa në kufij, por jo vetëm, për çdo situatë potenciale që lidhet me vendin tonë.
Dhe në vijim të këtij shqetësimi është edhe çështja e azilkërkuesve të parregullt për të cilët kemi punuar dhe vijojmë koordinimin me partnerët, ashtu siç vijojmë zbatimin e një plani rigoroz për të parandaluar dhe frenuar në maksimum mundësinë që shtetas shqiptar të largohen nga vendi për të kërkuar në mënyrë të parregullt azil, në vendet e BE-së dhe veçanërisht në Gjermani.
Dëshiroj, më së pari ta shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë thirrje opozitës që të përmbahet nga çdo lloj keqpërdorimi politik dhe abuziv.
Politikëbërja duhet të njohë një kufi të arsyeshëm e për më tepër të udhëhiqet nga interesi më i lartë i vendit dhe i qytetarëve ndaj çdo keqinterpretimi, shpifje, abuzim, keqpërdorim dhe politizim deri dhe tek dramat dhe fatkeqësitë e qytetarëve, është vetëm abuzim i ngushtë dhe aspak i dobishëm, as për vendin dhe as për qytetarët.
Nuk ka sot një vend të vetëm në rajon ku partitë opozitare ta shfrytëzojnë emergjencën e emigrantëve nga vendet e konflikteve të thella, dhe në këtë kuadër, edhe të azilkërkuesve të paligjshëm, për të keqpërdorur dhe për të nxjerrë përfitime politike ditore.
Përkundrazi, ky shqetësim është një motiv i fortë për t’u bërë bashkë dhe për t’i dhënë zgjidhje qe i vijnë në ndihmë qytetarëve pa dallim.
Është ky modeli në vendet e rajonit, është ky modeli në vendet e BE-së.

Në qoftë se opozita në vendin tonë e ka tepër të vështirë të bashkëpunojë me qeverinë në një kohë kur qeveria dhe institucionet po bashkëpunojnë ngushtësisht me të gjithë partnerët dhe qeveritë e vendeve partnere në rajon dhe në BE, për t’i dhënë një zgjidhje europiane këtij fenomeni, atëherë të përmbahet nga politizimi i panevojshëm që nuk ndihmon askënd, ndoshta dhe vetë opozitën.
Ne jemi tërësisht të përgatitur për të parandaluar dhe frenuar fenomenin e azilkërkimit.

Ndaj Policia e Shtetit dhe MPB, ashtu siç dhe të gjitha institucionet në tërësi kanë hartuar dhe po zbatojnë çdo ditë një plan masash të detajuar për të adresuar këtë fenomen në themel.
Është hartuar dhe po zbatohet një plan i veçantë masash në pikat e kalimit kufitar, duke respektuar në mënyrë rigoroze kërkesat e BE-së dhe rregullat e lëvizjes së lirë të shtetasve në hapësirën Shengen.
Në këtë kuadër, si ndihmë shtesë dhe si provë e bashkëpunimit intensiv të Policisë së Shtetit me Agjencitë partnere, oficerë të Policisë gjermane po bashkëpunojnë ditë për ditë dhe intensivisht me oficerët e policisë shqiptare në kufi, në kuadër të programeve të BE-së, FRONTEX, për ekspertizë më të specializuar në kontrollin e daljes së shtetasve që udhëtojnë në vendet e BE-së.
Si pasojë e kërkesave rigoroze për respektimin e rregullave të lëvizjes së lirë në zonën Shengen, është rritur ndjeshëm numri i personave që u është refuzuar dalja nga vendi ynë për shkak se nuk kanë plotësuar kërkesat e BE-së lidhur me lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Ndaj unë e shfrytëzoj këtë rast, për t’u bërë edhe njëherë thirrje qytetarëve, që të respektojnë në mënyrë rigoroze kërkesat dhe kriteret e lëvizjes së lirë në vendet Shengen, pasi mosrespektimi i tyre do të thotë automatikisht refuzim i lëvizjes së lirë.

Ndërkohë janë organizuar dhe sot vazhdojnë fushata sensibilizimi intensiv në media, por jo vetëm, me qëllim informimin e qytetarëve për pamundësinë reale dhe të plotë që të fitohet azil në ndonjë prej vendeve të BE-së, por mbi të gjitha për të shmangur dhe potencialin e këqpërdorimit të informacionit apo abuzimin me informacionin nga çdo burim tjetër që mund të shtyjë qoftë dhe largësisht qytetarët shqiptarë të besojnë se në ndonjë nga vendet e BE-së mund të gjejnë azil.

Gjithashtu, po në këtë kuadër, në bashkëpunim me partnerët, janë kryer disa operacione policore dhe hetime të thelluara për goditjen e rrjeteve të organizuara, të cilat nën petkun e Agjencive të udhëtimit apo Agjencive turistike kanë kërkuar të abuzojnë me qytetarët nëpërmjet mashtrimit me idenë e azilit ekonomik në vendet e BE dhe veçanërisht në Gjermani.

Në përmbushje të detyrës sime i kam kërkuar në mënyrë intensive, qoftë në vizitën time këtu, qoftë në vizitën e tij në Berlin homologut gjerman, shuarjen e të gjithë faktorëve shtues në vendet pritëse e veçanërisht në Gjermani, që kanë shërbyer e shërbejnë si motiv që shumë shtetas të udhëtojnë për të kërkuar azil, shtetas nga Shqipëria dhe shtetas nga vendet e rajonit, të cilët të nxitur nga këta faktorë në vendin pritës marrin iniciativën për të udhëtuar me synim gjetjen e azilit.

E para është sigurisht që Shqipëria të klasifikohet në listën e vendeve me origjinë të sigurtë, gjë që do të shkurtonte në mënyre drastike kërkesat dhe procedurat dhe kohën e përpunimit të kërkesave për azil dhe që në anën tjetër do të thotë dekurajim dhe mos mbajtje gjallë e shpresave të qytetarëve, shqiptarë apo shtetasve të rajonit për të kërkuar dhe për të përfituar azil në mënyrë të paligjshme në Gjermani, apo çdo vend tjetër të BE, gjë që përbën një mundësi zero.

Të njëjtën gjë i ka kërkuar edhe Kryeministri Rama Kancelares Merkel gjatë vizitës së saj në Tiranë dhe ky është tashmë një proces që ka nisur në Gjermani dhe që shpresoj do përmbyllet shumë shpejt duke bërë të mundur që vendi ynë të renditet dhe të klasifikohet së bashku me vendet e tjera të rajonit, në vendet me origjinë të sigurtë.

I kam kërkuar gjithashtu homologut tim që të rishikohet mënyra, përmasa dhe lloji i ndihmës ditore sociale gjë që do të dekurajonte iniciativën për të kërkuar azil qoftë edhe për të përfituar për aq pak kohë ndihmë sociale për aq kohë sa azil kërkuesit rrinë e presin përgjigjen definitive të autoriteteve të shtetit pritës.

Megjithatë dua t’ju bëj me dije ju se nga analiza e të gjitha të dhënave dhe informacioneve që ka Policia e Shtetit, autoritet tona dhe në shkëmbim intensiv informacionesh që ofrojnë vendet partnere, rezulton se shumica dërrmuese e qytetarëve që kërkojnë azil janë shtetas shqiptarë me banim të përhershëm në një nga vendet e BE, pra emigrant shqiptar me banim të përhershëm në një nga vendet e BE që shpërngulen nga ai vend për të kërkuar azil në Gjermani ose në një vend tjetër të BE.
Këtu mjafton t’ju them dhe shifrat janë të disponueshme nga të gjithë ju, mjafton t’ju them se numri i shtetasve shqiptar në 7 muajt e parë të këtij viti nga pikat kufitare të shtetit tonë është rritur me 0.6% të krahasuar me shifrat e një viti më parë, gjë që do të thotë se kërkesat për azil dhe shifrat e deklaruara nga Gjermania apo vendet e tjera të BE, nuk korrespondojnë kurrkund dhe nuk përputhen absolutisht fare me numrin e shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga pikat tona kufitare.

Rritja me 0.6% në shtatë muajt e parë të këtij viti do të thotë trendi natyral i lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptar në vende e BE-së dhe nuk i përgjigjet fare rritjes së azilkërkuesve në Gjermani apo në vendet e tjera të BE.

Por në mënyrë që ne të bëjmë një analizë më të hollësishme për këtë situatë, i kemi kërkuar palës gjermane që të ndajë me ne të dhëna të plota në lidhje me vend-origjinën dhe nisjen, itinerarin, rrugën, pikënisjen e të gjithë shtetasve që kërkojnë azil në mënyrë të paligjshme në Gjermani, të dhëna që nuk na janë venë ende në dispozicionin në mënyrë që të bënim një adresim më konkrete dhe një analizë më konkrete të kësaj situate.

Dëshiroj gjithsesi të shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë me dije edhe një herë qytetarëve shqiptar se në bazë të legjislacionit të shtetit Gjerman, të gjithë azilkërkuesve që i‘u refuzohet kjo mundësi dhe që kthehen nga autoritet gjermane, mbartin me vete në kthim detyrime financiare ndaj shtetit gjerman, detyrime financiare që kanë të bëjnë me shpenzimet e kthimit, me biletën e avilonit, me leje kalimin e të tjera me radhë dhe pa paguar këto detyrime është absolutisht e pamundur të udhëtosh në zonën Shengen.

Kjo është një arsye më shumë përveç arsyeve të tjera për të mos e marrë në asnjë mënyrë përsipër përpjekjen për të gjetur rrugëzgjidhje që nuk ekzistojnë nëpërmjet azilkërkimit të paligjshëm në Gjermani dhe në asnjë vend tjetër të BE.

Gjithashtu dua t’i bëj edhe një herë thirrje qytetarëve që të mos e marrin përsipër një aventurë tërësisht të pasuksesshme që në nisje sepse askush nuk përfiton dot azil në asnjë prej vendeve të BE.
Ju faleminderit!

(da.bo/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: