*Ministri Tahiri largohet nga Komisioni i Sigurisë: Kam pak punë
*Noka: Sjellje alabaku, rrugaci

TIRANE-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka nisur raportimin në Komisionin parlamentarë të Sigurisë mbi cështjen e një pajisje që sipas SHISH, konsiderohet e dyshimtë dhe ka hyrë e paregjistruar. Duke theksuar se Policia e Shtetit nuk ka asnjë pajisje përgjimi, Ministri Tahiri tha se siguria kombëtare cënohet më shumë nga deklaratat që tha kreu i SHISH sot në komision, se sa nga shqetësimi që ka ngritur opozita.
Sipas Tahirit, “Prokuroria e Tiranës ka një cështje hetimore dhe duhet pritur per pergjigjen qe do jape hetimi konkret.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ishte duke raportuar në Komisionin e Sigurisë në lidhje me çështjen e pajisjes së përgjimeve të ligjshme në Kuvendit të Shqipërisë, e ka braktisur mbledhjen. Në momentin që kamerat e televizioneve nuk ishin në transmetim ministri Tahiri mësohet se është ngritur dhe ka ikur.
“Kam punë”, ka qenë fjalia e Tahirit thënë deputetëve.



SAIMIR TAHIRI:
Pavarësisht se edhe në parashtresën e informacionit tuaj, unë përsëris se ftesa e komisionit është më serioze se ato që qarkullojnë në media. Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka dhe as mund të ketë asnjë pajisje përgjimi. Policia e Shtetit bën detyrën e saj, në përpjekjen maksimale për të reformuar sektorin e sigurisë dhe mbi të gjitha për t’i dhënë një standard të ri shërbimi e sigurie qytetarit shqiptar. Ajo që kemi trashëguar nga Policia e Shtetit është një varfëri totale qoftë nga pikëpamja kulturore dhe përgatitja e Policisë për të bërë detyrën siç duhet. Pra në kapërcyell të 25 viteve, Policia e Shtetit është në fazën për reformim, por trashëguam mungesën në kapacitete për të pasur rezultate konkrete në luftën kundër krimit. Ju e dini që bota e krimit ka më shumë mundësi financiare se agjencitë ligjzbatuese. Bota e krimit është jo vetëm më e pasur, por dhe deri dje më e paprekshme dhe për këtë arsye kërkohet që në Policinë e Shtetit të zhvillohen kapacitete të tilla që do kenë rezultate solide. Ringritëm akademinë e sigurisë. Pas 10 viteve…


NDËRHYRJE
: Nuk ka nevojë për të vënë kasetën se e kemi dëgjuar me dhjetra herë e qindra herë. Z Ministër, jeni thirrur këtu për pajisjen e përgjimit, futjen apo mosfutjen e tyre, ligjshmërinë nëse është futur ose mosfutur. Ligjshmërinë, kaseta që keni filluar është djegur se e kemi dëgjuar disa herë në këtë komision.

TAHIRI: E filluam reformën në policinë e shtetit nga Akademia e Sigurisë sepse ne besojmë …

NDERHYN NOKA: Nuk ju pyeti kush se çfarë reforme keni bërë në policinë e shtetit. Ka një çështje konkrete. Jeni thirrur për pajisjen e përgjimit. Nuk duam të dimë nëse e keni lyer, larë apo dezinfektuar Akademinë. Është çështja juaj.

TAHIRI: Unë kam bindjen se në rast se më lini të them atë që kam nisur do ta kuptoni. E filluam reformën në akademinë e sigurisë pas 10 viteve inekzistencë, për të hetuar ashtu siç duhet kriminalitetin. Na është vënë në dukje mungesa e kapaciteteve profesionale në policinë e shtetit. Të garantosh sigurinë në këtë vend, do ide, projekte. Ne kemi menduar se përpjekja jonë për të reformuar këtë sektor dhe për të rilindur policinë e shtetit që e gjetëm në atë derexhe, ishte ta nisnim nga Akademia e Sigurisë. Sot aplikojnë mijëra të rinj për këtë shkollë.
NOKA NDERHYN SERISH:
Ju kemi kërkuar për të folur për çështjen. Keni gjë për të thënë për çështjen? Nuk ka rëndësi së çfarë ndryshimesh keni bërë në Akademi.

TAHIRI: Unë jam shumë i bindur se mund të përgjigjem për cdo pyetje që keni. Por, më lini të bëj një parashtesë të shkurtër. Ne mendojmë se ky vend bëhet më i sigurt, qytetari më i sigurt, kur punonjësit e policisë të jenë korrekt me qytetarin, të arrijmë ato standarte që të tjerët i kanë arritur para nesh.

Ne mendojmë që eksperienca e vyer me partnerët ndërkombëtare është ndihma më e madhe në luftën ndaj krimit të organizuar . Policia e Shtetit ka një program trajnimesh që i bëjnë në mënyrë të padiskutueshme punonjësit e policisë më të përgatitur. Këto janë nga mënyra e sjelljes, nga përdorimi i mjeteve personale me qytetarin, nga veprimet ndaj qytetarit, nga mënyra e teknikës hetimore, metodave, të gjitha këto janë prioritet. Ne nuk mendojmë që krimi luftohet me injorantë dhe profesionistë, kështu mendojmë ne dhe kështu do vazhdojmë. Policia e Shtetit ka arritur rezultate që deri dje as nuk mund të mendoheshin, dhe kjo është rruga më e mirë për qytetarin. Lidhur me shqetësimin që ju thoni, Prokuroria e Përgjithshme ka një cështje hetimore, por kam bindje se Prokuroria në një kohë do kthejë përgjigje, përgjigja do jetë mbi të vertetën, jam shumë i qetë dhe kam vënë në dispozicion cdo të dhënë, dhe detyra që mbart do e respektoj deri ditën e fundit. Hetimi po vazhdon dhe Prokurori do japë përgjigje. Por mund t’ju garantoj dhe të them se deri ditën e fundit që do jem në këtë detyrë nuk kam shkelur dhe nuk do shkel detyrën. Nuk do përdorim pajisje përgjimi që janë të paligjshme që nuk i lejon ligji, Por do përdorim cdo pajisje që trajnon policët dhe që përgatit policin dhe që sjell standart. Policia nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë kurrë pajisje që mundësojnë përgjimin e telefonatave, mesazheve, apo të dhënave data, komunikimet përmjet rrjeteve të internetit. Cdo aludim tjetër është thashethemnajë mediash, zhurmë mediash

NDËRHYRJE: Mediat nuk bëjnë zhurmë, japin informacion

TAHIRI: Mua më vjen mirë që Komisioni i Sigurise shqyrton dhe sjell në vëmendje Policinë. Se duhet pasur vëmendje në punën e Policisë, për të respektuar ligjin, për t’u bërë të gjithë bashkë për të luftuar kriminalitetin, korrupsionin dhe mbi të gjitha të pandëshkueshmit. Ne në Policinë e Shtetit kemi krijuar do krijojë një trupë që do i shërbejë qytetarit të shekullit të ri. Kjo është rruga e duhur dhe e drejtë. Jemi mjaft të vendosur që Policisë së Shtetit t’i forcojmë kapacitetet njerëzore, infrastrukturore, kushtet e punës apo akoma më shumë pagën.

NDËRHYHRJE: Po flet si në ditën e parë që ke marrë detyrën, mos fol, jam i bindur por thuaj konkretisht.. thuaj gjëra të tjera

TAHIRI: Se unë i besoj gjërat që them dhe mundohem t’i bëj realitet sic kam folur që në ditën e parë.
Nuk kam ardhur të bëj debat këtu, por do përgjigjem për një cështje që do marrë përgjigje nga Prokuroria. Policia e Shtetit nuk ka shkelur ligjin, mbaj përgjegjësi personalisht, dhe kam moral sepse më është caktuar një detyrë.

NOKA:
Çfarë keni që jeni kaq të shqetësuar, pse e ndërprisni ministrin? Pse jeni nervozë?

TAHIRI: Ky ishte informacioni përmbledhtas i shqetësimit që keni ju. Kjo çështja do të trajtohet nga prokuroria. Të gjithë ata që kanë abuzuar me detyrën shtetërore duke i thënë publikut të pavërteta, duhet të keni detyrën moral t’i kërkojnë të falur publikut.

NOKA:
Bazuar në të dhënat e bëra publike, prokuroria ka nisur hetimet për ekzistencën e një pajisje të paligjshme në zyrat e Policisë së Shtetit. Prokuroria ka kërkuar këqyrjen e kësaj pajisje. Po sipas të dhënave, dy policë të policisë gjyqësore janë ndalur dhe nuk u është dhënë kjo pajisje. Mendoni se kjo përbën pengim të hetimeve? A mos po fshihen gjurmët e kësaj pajisje? Nuk po pyes për ekzistencën e saj, pasi kjo dihet.

TAHIRI:
Më vjen shumë keq që nuk biem dot dakord. Unë nuk kam thënë në emision që policia e shtetit disponon një pajisje që kryen përgjim, kam thënë që disponohet një pajisje funksioni i së cilës dihet, që është në pronë menaxhim disponim përdorim nga partnerët italianë. Policia e shtetit nuk ka patur dhe nuk ka mundësi të ketë një pajisje të tillë përgjimi. Kam thënë që është një pajisje për qëllime trajnuese dhe mësimore që nuk bën përgjim. Edhe juve kishit dijeni nga mediat. Se mesa kuptoj në këtë komision një informacion zyrtar nuk ka. Unë nuk merrem dot me thashethemet e ditës se nuk më del koha. Gjatë kohës që unë jam në detyrë Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme do të respektojë ligjin. Nuk besoj të jetë ndaluar prokuroria për të bërë detyrën e saj. Pjesë e reformës tonë në Policinë e Shtetit është edhe zbatimi i ligjshmërisë dhe detyrimi për strukturën dhe çdo punonjës që të zbatojë ligjin. Nëse në të kaluarën ata që vrisnin në shesh, strehoheshin aty, sot nuk ndodh ashtu.
NOKA:
Janë lejuar të sekuestrojnë pajisjen, apo janë ndaluar?

TAHIRI: Policia e Shtetit zbaton çdo urdhër të prokurorit. Në rast se juve përveç informacioneve vërdallë dini ndonjë gjë konkrete që policia ka penguar punën e policisë unë jam gati t’ju përgjigjem.

NOKA: A është e vërtetë kjo që shkruhet në media?
TAHIRI:
Unë ju sugjeroj të pyesni prokurorin e përgjithshëm ose burimin e informacionit.

NOKA: Nuk më duhet garancia jote. Ke dijeni apo jo?
TAHIRI:
Unë ju jap dijeni me garanci.

TAHIRI: Përballë detyrës sime ju deklaroj këtu se Policia e Shtetit nuk ka ndaluar kurrë asnjë hetim të Prokurorisë.

NOKA: Pajisja ka hyrë me regjistrim

TAHIRI: Ligjshmërinë apo paligjshmërinë e tyre e përcakton prokurori. Rezervohem t’ju jap opinione të miat, Për ligjshmërinë apo paligjshmërinë, ju ftoj të shihni përgjigjet e hetimeve të Prokurorisë.

NOKA: Drejtori i Policisë tha se nuk ka pajisje por ju e konfirmoni se ka një pajisje: E nxorët gënjeshtar: A është e regjistruar kjo pajisje?

TAHIRI: Drejtori i Policisë së Shtetit deklaroi këtu se nuk ka asnjë pajisje. Për të mos shtuar tymnajë nëpër media le të përgjigjen institucionet. Më pyetët për administrim, ka mjete që ndihmojnë punën e saj të përditshme, lapsa, letra, printera, bojë dhe deri tek mjetet që ndihmojnë hetimin që janë ato që janë, n.q.s keni kuriozitet, ju ftojmë të demostrojmë pajisjet që ka Policia e Shtetit, për lapsa, stilolapsa të kinkalerive, e deri të tjera

NDËRHYRJE: Trajnoje drejtorin e Policisë së Shtetit se nuk kishte dijeni ai..

DOGJANI: Zoti ministër, unë në fakt e kisha në mend të bëja pyetje direkte, por nuk mund të lija pa bërë koment për faktin se dhe ju dolët jashtë temës së seancës dëgjimore, nuk di nga t’ja nisësh me ju, t’ja nisësh me ekonominë

NOKA: Z Dogjani qëndro te tema

DOGJANI: Por për shkak të komentit të Tahirit, doja ta bëja ja psh për sigurinë, ky na flet për sigurinë, për çfarë të flasësh, të vriten në mes të Bllokut, ulen avionë skafe, për Eskobarin e Ballkanit, drejtorin e transporteve, Shqipëria është e mbytur në drogë…

NOKA: Dogjani, mos dil nga çështja

DOGJANI: Ai vetë doli dhe dua të flas. Duke respektuar seancën dëgjimore, për të respektuar dhe kolegët, por ju si ministër ishit të parët që dolët nga tema

Në nuk na shqetëson përgjimi që bëhet nga institucionet ligjzbatuese e policisë

NOKA: e Prokurorisë…

DOGJANI: Po duhet përgjimi se po vriten cdo dite dhe kemi Shqipërinë të mbuluar me drogë. Sa deklaruat se kjo pajisje është në dorë të Interforce, për çfarë përdoret ajo pajisje? Ne morëm të dhëna se ajo pajisje mund të përgjojë pa fund. Të dhëna teknike nga interneti. A është detyrë e policisë të trajnojë punonjësit të bëjë përgjime? Policia bën përgjime me lejen e Prokurorisë dhe brenda 48 orësh gjykata vendos për përgjimin ose jo. Pra a duhen trajnuar për këtë lloj përgjimi këta punonjës policie?
Pse është vendosur në Vlorë, ku është kjo pajisje tani dhe nga të dhënat. Ne cilën kushtetutë dhe të dhëna të Konventës Europiane lejojmë përgjimin, por këtë e bën prokuroria.
A është përdorur për përgjim kjo pajisje dhe n.q.s gaboj, nëse gaboj, në deklarimin tuaj kjo pajisje u përdorka për persona në kërkim me rrezikshmëri të lartë. Dhe për lokalizimin e këtyre personave duhet të merret leje nga Prokuroria e shtetit mesa kam dijeni.
Kush janë ekspertët që janë marrë me trajnimin e punonjësve të policisë?
Kur futen këto pajisje në territorin e Republikës së Shqipërisë, a kontrollohen sepse dikush këtu përpara tha se përfaqësitë diplomatike nuk kontrollohen. Por ja futen bomba, armë, drogë, a kontrollohen këto përfaqësi?
TAHIRI:
Faleminderit për konsideratat tuaja për gjendjen e sigurisë dhe rendit në vend. Mund t’ju them që sot puna e policisë është kolosale, dhe garantojmë një standard sigurie shumë më të lartë se dje. Kjo është e qartë edhe nga statistikat dhe raportet e prokurorisë. Policia nuk është trajtuar për përgjim edhe pse do të ishte e ligjshme. Punonjësit e policisë janë trajtuar e trajnohen vazhdimisht. Në strukturën e re të policisë së shtetit ka qendër trajnimesh në çdo qark. Trajnimi profesional dhe fizik i punonjësve do të na sjellë një polici më të përgatitur. Nëse keni interes të dini pse kjo pajisje që nuk bën përgjim, shkoi në Vlorë, duhet të pyesni misionin e Interforcës që kanë planin e tyre të trajnimit si policia shqiptare. Ju e dini që punonjësit e policisë mundohet të trajnohen ku të jetë e mundur. Për këtë duhet të pyeten personat që merren me këtë çështje.

QEFALIA: Nisur nga inflamacionet mediatike kemi qenë të shqetësuar, dhe sot kemi shtruar këtë çështje. Në takimin me kreun e SHISH mësuam se një informacion që ai e kishte dëgjuar në mënyrë gojore ia kishte përcjellë kryeprokurorit dhe presidentit, dhe kjo kishte ngelur këtu. A ka patur kontakte me institucionin tuaj?

SAIMIR TAHIRI: kjo pajisje që nuk është për përgjim dhe nuk ka as pamundësi fizike të jetë për përgjim është në përdorim nga punonjësit e policisë italiane, të cilët i falënderoj për dijen që u jep punonjësve tanë. Kjo pajisje nuk ofron përgjim, as fizikisht nuk e ka kapacitetin për të bërë përgjim. Nëse do të ishte e kundërta unë dhe ministri i brendshëm italian paskemi shkelur ligjin. Kjo nuk mund të ndodhë.

FLAMUR NOKA: Jo Interforca por kushdo që sjell një pajisje në Shqipëri duhet të marrë lejen e prokurorisë.

SAIMIR TAHIRI: Pajisja ka ardhur në bazë të një marrëveshje të firmosur nga Bujar Nishani. Mbi bazën e kësaj marrëveshje ndërtohet çdo mundësi për forcim kapacitetesh. Ka ndodhur shumë herë që policia italiane të ketë ndihmuar policinë shqiptare edhe me këtë pajisje. E udhës do ishte që ky komision të mjaftohej me përfundimin e hetimeve të prokurorisë. Meqë ka një hetim penal, në përfundim të hetimit nxirrni konkluzione. Nëse ka persona që duhet të mbajnë përgjegjësi të mbajnë përgjegjësi.

FLAMUR NOKA: Për sa kohë ke kaluar kufijtë e të drejtës tendë për të informuar kam të drejtë të të ndërpres fjalën. Ky nuk është komision hetimor, por ju kemi thirrur në seancë dëgjimore me të drejtën tonë që na jep ligji. Lere atë historinë e kapërcimit, vazhdo përgjigju pyetjes.

ASLLAN DOGJANI: Nuk më thatë për çfarë trajnohen policët, për përgjimin? Çfarë pajisje është dhe çfarë trajnimi bën?

SAIMIR TAHIRI: Për llojin e trajnimit jam i sigurtë që është brenda funksionit dhe përmbushjes së funksionit të policisë së shtetit. Duhet të pyesni teknikët e trajnimit. Policia e Shtetit i ka dhënë prokurorisë të gjitha të dhënat, mund të shkoni të interesoheni dhe të merrni vesh çfarë trajnimi është. Quhen trajnime gjatë punës.

FLAMUR NOKA: Ju e keni informuar kryeministrin për futjen e kësaj pajisjeje dhe ekzistencën e kësaj pajisjeje?

SAIMIR TAHIRI: Kjo seancë ka nevojë për më shumë seriozitet. Unë nuk kam kohë të harxhoj kot. Duhet tu shërbej qytetarëve. Nuk jam informuar nga drejtori i SHISH. Unë nuk besoj se siguria ndërtohet duke parë në Gooogle dhe në internet se çfarë është një pajisje. Do kisha preferuar që drejtori i SHISH të kërkonte informacion nga policia apo nga unë për këtë pajisje dhe më pas të informonte prokurorin. Kam bindjen që komisioni i sigurisë do vlerësojë mirë ato që u thanë nga drejtori i SHISH sepse unë besoj se më shumë shkelin sigurinë kombëtare ato që tha drejtori i SHISH këtu, se sa shqetësimi që keni ngritur ju.

PATOZI: Është e qartë kontradikta e madhe që qëndron mes deklaratave të kreut të policisë dhe ministrit. Ai thotë se nuk ka një pajisje që përdoret për gjëra të kësaj natyre, ndërsa ministri thotë se ka një pajisje të sofistikuar që përdoret për trajnim. E keni menduar se cili nga ju të dy duhet të japë dorëheqjen, se të dy nuk mund të qëndroni në detyrë?
Policia e shtetit a ka detyrim që këto pajisje t’i deklarojë dhe t’i regjistrojë?
Ju thoni se kjo pajisje përdoret për trajnim, pajisje të tjera të paregjistruara përdorni ju në trajnim? Për shembull armë të paregjistruara?
Kur policia bën qitje, ushtrohet, e bën me tabela apo vendos njerëz? Se siç i thoni ju për t’u trajnuar si përgjues duhet patjetër të përgjosh. Pse duhet që për të mësuar teknikën e përgjimit, duhet patjetër të përgjosh. Ju e pranoni që është një pajisje e sofistikuar. Pajisje të tilla zakonisht i bëjnë të gjitha, varët se çfarë i fut. Çfarë garancie kemi ne si qytetarë që kjo pajisje nuk do të keqpërdoret kundër interesave të qytetarëve, opozitës, dhe interesave të këtij shteti?

TAHIRI: Gjykimi juaj se kush duhet të lërë detyrën i bie ta lini ju.

NOKA
: Nuk jeni këtu për të thënë kush duhet të lërë detyrën. Ju duhet ta kishit lënë që me Frrokun, Shullazin, Balilin.

TAHIRI: Meqë pyetja juaj me drejtohet kush do e lërë detyrën, ky standard i së vërtetës bën që të lini ju se nuk keni kuptuar asgjë.

NOKA:
Kërkoni ndjesë?

TAHIRI: Unë nuk kërkoj ndjesë se nuk fyeva askënd?

NOKA: Nëse nuk kërkoni ndjesë ju dilni jashtë.

TAHIRI:
Në inventarin e vet policia nuk ka asnjë pajisje të tillë. Për këtë trajnim partnerët na kanë sjellë një pajisje që nuk bën përgjim. Nëse për hir të debatit politik ju i përdorni këto fjali është tjetër gjë. Kjo pajisje nuk ka as mundësinë fizike të bëjë përgjim. Sa i takon pajisjeve me të cilat bën trajnim policia, për të forcuar mundësitë infrastrukturore që policia të përgatitet më mirë bëhet trajnim me çdo mjet të ligjshëm. Këto trajnime janë të shumëllojshme, dhe policia nuk shkel ligjin duke përdorur pajisje të paligjshme. Nuk mund të them nëse është regjistruar në doganë apo jo, nuk jam doganier.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ishte duke raportuar në Komisionin e Sigurisë në lidhje me çështjen e pajisjes së përgjimeve të ligjshme në Kuvendit të Shqipërisë, e ka braktisur mbledhjen. Në momentin që kamerat e televizioneve nuk ishin në transmetim ministri Tahiri mësohet se është ngritur dhe ka ikur.
“Kam punë”, ka qenë fjalia e Tahirit thënë deputetëve, duke u larguar nga salla e mbledhjes së Komisionit të Sigurisë. Deputetët janë shprehur se Ministri i Brendshëm është larguar pa u përgjigjur pyetjeve që i ishin bërë.

NOKA: Sjellje rrugaçi dhe alabaku.

(da.bo/el.sp/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: