TIRANË- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mori fjalën në Kuvend për t’ju drejtuar opozitës. Sipas tij opozitarët janë ata që sulmojnë policinë e Shtetit në kohën që ka më shumë sukses. Ministri shtoi se ata bëjnë politikë edhe kur kapet një kg e vetme me drogë.

“Mua më vjen mirë që të paktën ka një zë të arsyeshëm nga opozita që vjen këtu të flasë për çështje të ligjit, çështje të sigurisë, edhe të luftës kundër drogës, pa bërtitur, pa u çjerrë, pa u çuar këtu në këmbë. Pranoj dhe të ngrini gishtin, qoftë edhe kundër meje, nuk ka asnjë problem, edhe kundër policisë, nuk ka asnjë problem. Mjafton të bëjmë një marrëveshje fjale, ky është një problem i përbashkët i deputetëve, i parlamentit, i politikës, i institucioneve, i shoqërisë, i të gjithë ne. Dhe në këtë rast, unë do të doja të paktën t’ju bëja thirrje, të shohim të dhënat në sy, sepse kjo është e vetmja mënyrë, që të zgjidhim ashtu siç duhet problemin, për fëmijët tanë mbi të gjitha, dhe pastaj për të gjithë ata që ndiejnë koston e papërballueshme të kërcënimit të sigurisë në çdo situatë. Z. Patozi, ju keni qenë Kryetar i Grupit parlamentar të PD-së, por unë e kuptoj vështirësinë e të qenit Kryetar i Grupit parlamentar të mazhorancës me një qeveri si ajo që kishit. Por unë nuk kuptoj për cilën arsye nuk keni folur në atë kohë dhe flisni në këtë kohë. Dhe jua them pse. Të dhënat e Guardia di Financës:
– sipërfaqe e kultivuar me hashash në vitin 2013 ishte 323 hektarë në Shqipëri, nga të cilat policia deri në shtator kur kjo qeveri ka marrë detyrën kishte shkatërruar vetëm 7.5 %. Janë 932 tonë në 2013-ën! – sipërfaqja e kultivuar në 2015-ën, 44 hektarë nga të cilat policia ka shkatërruar 96 %. Këto janë të dhënat e Guardia di Financës, që janë një ndër partnerët tanë më të rëndësishëm në luftën kundër drogës.Unë nuk jam i lumtur as për këto shifra, sepse fundja, edhe kaq sa është, është problem. Por unë nuk mund të pranoj që juve për hir të politikës, apo të fjalimeve këtu në foltoren e Parlamentit, drejtoni gishtin nga qeveria duke thënë se qenka mbjellë më shumë kanabis tani, sepse është kjo qeveri! Jo, është e kundërta! Është luftuar më shumë”,- tha Tahiri.

Ne vazhdim ministri shtoi: “Unë e kuptoj madje që pasojat e drejtpërdrejta të lajmeve të përditshme të luftës kundër kanabisit, shkatërrim të bimëve dhe parcelave të kanabisit, kanë krijuar perceptimin publik se paska më shumë. E kuptoj fare mirë këtë! Të dhënat ama flasin ndryshe dhe e kam më kollaj, sipas logjikës suaj, e paskërkemi më kollaj të mos ta shkatërrojmë fare, madje të mos merremi fare me këtë punë, sepse kur s’merremi fare me këtë punë s’ka as lajme. Kur s’ka as lajme, as publiku nuk ka sesi të mendojë obobobo qenka mbushur Shqipëria me hashash, as opozita s’do na thotë gjë! Jo nuk është kjo! Pavarësisht kostos publike, pavarësisht kostos së të duruarit, ju që drejtoni gishtin nga Ministri i Brendshëm, nga Kryeministri, nga Qeveria, nga policia nga Qeveria nga mazhoranca e kushdo, ne preferojmë që përballë kësaj kosto të luftojmë realisht fenomenin. Ne preferojmë që përballë edhe me këtë kosto të shkatërrojmë realisht kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Nuk jemi të lumtur edhe pse ka sipërfaqe të mbjellë me drogë në Shqipëri, 8 herë më pak sesa ditën kur ju latë detyrën, ne prapë nuk jemi të lumtur.Nuk jemi të lumtur edhe pse shkatërrimi i lëndëve narkotike sot që flasim është mbi 10 herë më shumë sesa viti kur ju latë detyrën dhe është akoma më shumë sesa të 8 vitet 2005-2013 kur ju ishit në qeveri. Por kjo prapë ne nuk na bën as të lumtur as në gjendje që të vijmë dhe të mburremi këtu. Jo! Na bën më të përgjegjshëm në emër të transparencës, në emër të detyrës që kemi përballë qytetarëve, në emër të punës që duhet të bëjmë dhe unë nuk e fsheh bashkë me ju në qoftë se ndër ju ka njerëz që realisht e kuptojnë barrën e rëndë të të bërit këtë punë, pavarësisht ne jemi majtas apo djathtas, sepse ata që mbjellin hashash nuk janë as të majtë as të djathtë, janë kriminelë.
Ata që e trafikojnë nuk janë as të majtë as të djathtë, janë kriminel. Unë kam ardhur këtu në këtë parlament në opozitë. Juve ju kam pasur përballë, zotëria ka qenë Kryeministër. Kam ngritur gishtin kundër jush edhe duke ju akuzuar, e kam bërë me ndërgjegje të plotë, ja u them pse. Sepse askush ndër ju nuk ka marrë guximin të shkojë në prokurori, në qoftë se do kishte shkuar në prokurori, do kisha heshtur unë, sepse keni shkuar tek institucionet për tu hetuar. Po kur ju nuk keni gjetur kurrë kurajën të shkoni në Prokurori, fëmijët e atij, ish –ministrat, deputetë, të akuzuar dhe nën akuzë nga publiku nga media, nga opozita nuk ka shkuar kurrë në Prokurori të përballen me akuzat në mënyrë të hapur, në mënyrë institucionale, në mënyrë transparente dhe prandaj për opozitën e vetmja alternativë kishte mbetur në atë kohë, dalja këtu dhe kujtesa për ju në mënyrë konstante të shkonit në prokurori dhe ti hapnit rrugën hetimeve. Të mos mbyllnit hetimet! Ne përfaqësojmë një model ndryshe. Është kjo arsyeja pse unë para dy ditësh isha në Prokurori dhe i kërkova me iniciativë Prokurorit të Përgjithshëm që të hapë hetimet, duke iu vënë tërësisht në dispozicion unë personalisht që të hetohet plotësisht çdo akuzë e juaja, çdo akuzë e çdo punonjësi policie në mënyrë që politika mos të ketë punë me baltosje, shpifje e akuza, por të flasin institucionet të hetojnë institucionet dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore secili”

Në replikë deputeti Astrit Patozi, e cilësoi Tahirin ministrin më të akuzuar që nga 1912-ta për lidhje të frikshme me krimin.
“Zoti ministër ne të dy kemi një diferencë të madhe, unë pres që të vërtetat e mia t’i dëgjojnë sa më shumë njerëz, ti të kalosh radhën. Unë s’kam marrë asnjë email poshtërues si ti. Nëse tund disa shifra dhe mendon se po fsheh kokën si struci, po të them se je ministri më i akuzuar që nga 1912-ta për lidhje të frikshme me krimin e organizuar. Minimalja që mund të bëje është të jepje dorëheqjen. Ti nuk je e keqja më e madhe, se dorëheqja jote nuk mjafton, ai që vjen në vendin tënd do bëjë të njëjtën punë, se bandat kanë licencë në këtë vend, problemi është kryeministri dhe kjo qeveri”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: