TIRANË-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u ka dërguar një letër redaksive të dy mediave ndërkombëtare “Daily Mirror” dhe “Corriere TV”, pas artikujve që këto dy prestigjioze i kanë kushtuar Shqipërisë duke e lidhur atë me ISIS dhe trafikun e drogës.

“Jam i bindur që nuk jam i vetmi shqiptar që ndihet keq nga të pavërtetat që u pasqyruan, siç besoj se çdo italian apo qytetar i çdo vendi të botës që ka pasur mundësinë të njohë sadopak Shqipërinë, është ndier keq nga pasqyrimi thelbësisht i shtrembëruar i realitetit shqiptar në reportazhin tuaj”, shkruan ministri.

Ministri thekson se fitorja më e madhe e terroristëve është krijimi i hijes së armikut edhe aty ku duhet të ketë besim, duke shkatërruar kështu mundësinë që qytetarët dhe shoqëritë tona të ndërtojnë solidaritetin e domosdoshëm të vlerave që duhet ti kundërvihet të keqes së përbashkët.

“Në këtë rast, të pavërtetat e raportuara prej jush për Shqipërinë, duke shpikur shkolla për militantët e ISIS apo mbi 1000 rekrutë të paguar e të gatshëm për luftë, janë një tullë më shumë në murin e mosbesimit që na bën gjithmonë e më të paaftë për të fituar kohën që kemi humbur duke parë si kërcënim njëri-tjetrin, e kësisoj, të paaftë për të fituar kundër kërcënimit terrorist”, nënvizon ministri i Punëve të Brendshme.

Ai shton se Shqipëria ka një popullsi me shumicë muslimane, por është verbëri të mjaftohesh me kaq për të imagjinuar rrezik terrorizmi në vendin tonë.

“Ndaj, i nderuar, më lejoni t’ju siguroj se shqiptarët krenohen me vlerat e çmuara të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, një shembull unik që veç krenarisë, ka rrënjosur tek çdo qytetar shqiptar vullnetin për të mos pranuar frikën dhe kërcënimin e terrorit, por kurajon e forcën për të ndërtuar bashkëpunimin me çdo shoqëri të lirë që luftën kundër terrorizmit e fiton më së pari me vlera e besim, pastaj me armë”, shkruan Tahiri.

“Akuzat për trafik armësh dhe kanabisi nga Shqipëria, të pavërteta”
Më herët gjatë analizës vjetore të Policisë së Tiranës, ku ka qenë i pranishëm, ministri Tahiri theksoi se ISIS nuk trafikon armë nga Shqipëria.
“Shqipëria ka pasur një numër procedimesh lidhur me çështjet e armëve dhe po ashtu me kultivimin e lëndëve narkotike. Por asnjëra nga këto nuk lidhet me çështjet e terrorizmit. Jo çdo abuzim, që lexoni shpeshherë nga gazetarë anonimë apo që vijnë këtu me referenca të gabuara vendase, shërben për të ndërtuar këtë lloj paniku”, ka thënë Tahiri.

Dy ditë më parë, britanikja Daily Mirror shkruante se trafiku i drogës nga Lazarati financon organizatën terroriste ISIS. Pas saj një reportazh i italianes Corriere della Sera thoshte se Shqipëria është kthyer në një rrezik, si bazë e xhihadistëve në Europë.

Ndërkohë Tahiri i është përgjigjur gazetarëve edhe për plagosjen e gjyqtarit Gjermeni dhe ankesat e tij ndaj veprimeve të Policisë për kontrollin e mjetit. Tahiri tha se të gjithë kanë hapësirën dhe mjetet ligjore për t’u ankuar.

“Nuk kam si të shprehem për këtë. E para sepse nuk jam në dijeni të rasteve konkrete të punës së Policisë, as të ankesave të individëve të caktuar të cilët kanë të gjithë hapësirën dhe mjetet ligjore për t’u ankuar për këdo (përfshirë dhe Policinë). Ndaj besoj ekziston rruga ligjore për të bërë qoftë të parën apo të dytën, pa pasur nevojë që të përgjigjem unë”, tha Tahiri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: