BERLIN- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po zhvillon një vizitë pune në Gjermani, ku është takuar me homologun Thomas de Maiziere. Dy ministrat diskutuan për fushat e bashkëpunimit dhe ndanë rezultatet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe antiterrorizmit.

Temë e bisedës mes homologëve, që takohen për herë të dytë në Berlin, veç 2 vizitave të ministrit gjerman në Tiranë, ishte edhe bashkëpunimi i frytshëm në fushën e migracionit.
Çështje e diskutimit ishin edhe kërkesat e shqiptarëve për azil në Gjermani.

“Para dy vitesh ishte shqetësuese që shtetas shqiptarë nga Shqipëria dhe jo vetëm, erdhën këtu për të kërkuar azil. Megjithatë falë bashkëpunimit shumë të mirë u bë e mundur që këto shifra të reduktohen dhe të kryhet riatdhesimi i tyre. Kjo nuk ishte diçka e lehtë për qeverinë shqiptare, por megjithatë funksionoi shumë mirë”, u shpreh ministri i Brendshëm i Gjermanisë.

Ministri Tahiri tha pas takimit se prioritet mbetet krijimi i grupeve të përbashkëta hetimore në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar si një ndër prioritetet kyç në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Diskutuam për reformën në drejtësi dhe domosdoshmërinë për të filluar menjëherë me procesin e Vetting-ut, si një proces kryesor për pastrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar”, tha ministri i Brendshëm Tahiri.

Pas takimit dy ministrat dhanë një deklaratë për mediat:

Ministri Thomas de Maiziere: Jam i lumtur që mirëpres sërisht homologun tim shqiptar dhe që munda të bisedoj me të gjatë, për shumë çështje.

Para dy vitesh ishte shqetësuese që shtetas shqiptarë nga Shqipëria dhe jo vetëm, erdhën këtu për të kërkuar azil.

Megjithatë falë bashkëpunimit shumë të mirë u bë e mundur që këto shifra të reduktohen dhe të kryhet riatdhesimi i tyre. Kjo nuk ishte diçka e lehtë për qeverinë shqiptare, por megjithatë funksionoi shumë mirë.

Ne e mbështetëm Shqipërinë në regjimin kufitar që ajo ka me Greqinë, dhe këtu mund të them se ka patur një punë të përbashkët të shkëlqyer. Në mënyrë të veçantë u diskutua tema e luftës kundër krimit të organizuar.

Kjo është një detyrë e rëndësishme për Shqipërinë, e cila ka hapa para edhe në këtë drejtim.

Kemi pasur lidhje ndërmjet krimit të organizuar shqiptar dhe atij gjerman, ose kriminelë që veprojnë këtu në Gjermani.

Për këtë arsye kemi vendosur që bashkëpunimin ta përmirësojmë dhe me hetime të përbashkëta, në mënyrë që të luftojmë këtë të keqe të përbashkët.

Në këtë kuptim, uroj në bashkëpunimin e mëtejshëm.

Ministri Saimir Tahiri: Biseduam me kolegun për bashkëpunimin që kemi kundër krimit të organizuar.

E falënderova për gjithë mbështetjen që na ka dhënë në kuadër të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të lëndëve narkotike. Ajo që kemi bërë është vetëm një shenjë e mundësisë që kemi përpara për të bërë akoma më shumë në këtë kuadër.

Gjithashtu e falënderova edhe për suportin që i ka dhënë Policisë shqiptare dhe punës që kemi bërë për reformimin e gjithë sektorit të sigurisë.

Ka ende shumë për të bërë, por ndërkohë po ndërtojmë mbi suksesin tonë, në mënyrë që gjithçka kemi arritur të shërbejë si një shenjë e mirë dhe një provë e mirë për gjithçka mund të bëjmë në të ardhmen.

Gjithashtu prioritet është krijimi i grupeve të përbashkëta hetimore në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar si një ndër prioritetet kyç në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Por akoma më shumë mund të bëjmë në të ardhmen për ta kthyer bashkëpunimin nëpërmjet agjencive ligjzbatuese në këtë kuadër dhe veçanti, policive, në mundësinë më të mirë për të pasur rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në kohë.

Patëm mundësinë të diskutonim edhe për çështje të tjera, në mënyrë të veçantë edhe për reformën në drejtësi dhe domosdoshmërinë për të filluar menjëherë me procesin e Vetting-ut, si një proces kryesor për pastrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb