TIRANE- I ndodhur në Akademinë e Sigurisë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i jep fund zërave që qarkullojnë në media për një pajisje përgjimi të përdorur nga Policia e Shtetit për përgjimin e figurave të politikës e më gjerë.

Ministri sqaron se nuk ka një pajisje të tillë të cilën as ligji nuk e lejon dhe se nuk do të ketë një të tillë.

“Në Policinë e Shtetit nuk ka asnjë pajisje përgjimi, Policisë së Shtetit nuk i lejohet të punojë me ligj me një pajisje përgjimi. Në Policinë e Shtetit ka trajnim që zhvillohet prej disa kohësh, në rastin konkret me policinë italiane për hetimin e krimit dhe terrorizmit. Sot zhvillojmë trajnime me policitë partnere siç ka bërë me të njëjtën pajisje edhe në të kaluarën, qeveria e kaluar, nuk bëhet fjalë për pajisje përgjimi por pajisje fare normale për trajnimin. E garantoj me përgjegjësi të plotë”.

Ministri Tahiri theksoi disa herë se Policia e Shtetit nuk ka asnjë merak, dhe sipas tij, nuk ka patur, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë pajisje përgjimi të ligjshme, apo të paligjshme.

“Prokuroria e shtetit mund të verifikojë. Ne nuk kemi asnjë merak, jemi të fokusuar të bëjmë gjithçka është e mundur për të luftuar kriminalitetin. Jam 24 orë në dispozicion të prokurorisë. Ata që sot çirren me lloj-lloj thashethemesh do marrin një përgjigje shumë shpejt. Jemi shumë të qetë po bëjmë detyrën në mënyrë më të mirë të mundshme me të gjitha kapacitet që ka policia”- deklaroi Tahiri.

I pyetur për rastin e Klemend Balilit, Tahiri u përgjigj: “I bashkohem kolegut Manjani, duhet të pyesni prokurorinë”.
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: