Nga: Klodiana LALA

TIRANË- Prokurorët e Krimeve të Rënda kërkojnë sërish ndihmën e autoriteteve italiane, për hetimin e çelur ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Përmes një letër-porosie që ka marrë udhë tri ditë më parë, grupi i hetimit, kërkon nga prokuroria e Catanias, t’i vërë në dispozicion dëshmitë e të gjithë të arrestuarve në Itali, përfshi dhe të dyshuarin si kreu i grupit kriminal, Moisi Habilaj, që ka lidhje familjare me ish-ministrin.
Të çudit fakti që prokurorët kërkojnë edhe pyetjen e Nezar Seitit, i cilësuar si financieri i grupit kriminal, i cili ndodhej në burg në Shqipëri, por u ekstradua drejt shtetit fqinj, në kundërshtim me ligjin.

Në letërporosi theksohet fakti se gjatë qëndrimit në paraburgim në vendin tonë, Seiti ka refuzuar të japë shpjegime rreth çështjes, ndaj kërkohet të pyetet nga autoritetet e drejtësisë atje për llogari të hetimit që po zhvillohet ndaj Saimir Tahirit.

Ekstradimi i Seitit shkaktoi përplasje të forta institucionale, madje pati dhe akuza nga opozita se ai u largua për ti kyçur gojën, pasi kishte vendosur të fliste kundër ish-ministrit të Brendshëm.

Rreth 2 javë më parë organi I akuzës kërkoi ndihmë edhe nga Greqia, për të mësuar gjitha lëvizjet e Tahirit në territorin fqinjë, vendet ku ka qëndruar, pagesat e kryera në resorte, apo hotele, personat me të cilët ka patur kontakt, si dhe mjaft detaje të tjera që mund ti vlejnë hetimit.

Vetëm pasi të zbatohen këto letërporosi, atëherë Krimet e Rënda do të vendosin për fatin e dosjes që konsiderohet si një ndër çështjet më të nxehta, për shkak se i hetuari kryesor është ministri i brendshëm më jetëgjatë në këto 28 vite.

Për momentin, grupi i hetimit, është duke analizuar të dhënat e siguruar nga kompanitë celulare, apo dokumentet e sekuestruara nga institucione të ndryshme.

Hetimet ndaj Saimir Tahirit nisën në tetor të 2017, pas arrestimit të Moisi Habilajt dhe disa bashkëpunëtorëve të tij në Catania.

Pasi prokuroria dështoi të dërgojë prapa hekurave ish-ministrin, për shkak se Kuvendi nuk e miratoi arrestimin e tij, javë më vonë, Tahirit iu ndalua e drejta për të dalë jashtë vendit.

Apeli për Krime të Rënda e prishi vendimin e shkallës së parë duke i hequr masën shtrënguese ish-ministrit nën hetim. Aktualisht çështja në fjalë, ndodhet në gjykatën e Lartë, pasi prokuroria paraqiti rekurs.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: