Gjovalin Gjini, një prej përkrahësve të LSI-së në Lezhë që u dhunua barbarisht dy ditë më parë, u vizitua nga ish-kryetari i kësaj partie, Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta.
Pikërisht në këtë takim, Meta bëri dhe deklaratën e fortë për armatosjen e popullit nëse policia nuk kapte sipas tij “zagarët” që dhunojnë simpatizantët e LSI-së.
Ajo që ka rënë më shumë në sy, është momenti kur pas vizitës në shtëpinë e simpatizantit të dhunuar të LSI-së, ish-kryetari i Bashkisë njëkohësisht kandidati për deputet i Lezhës, Viktor Tushaj, i fut në xhep Gjovalin Gjinit një zarf.
Kjo ka ngritur në fakt dyshime të shumta, ç’përmbante në të vërtetë ai zarf. Video është publikuar nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në “Facebook”-un e tij personal, ndërsa nuk ka bërë koment shoqërues lidhur me përmbajtjen e zarfit duke shkruar vetëm se “Shih e shkruaj thotë populli, se sado të shkruash kur sheh kështu skenash, çdo fjalë është e tepërt…”.
(e.f/BalkanWeb)