Mundësia që Ansi Agolli të transferohet te Skënderbeu është zero, pasi edhe vetë “kushti” që mbrojtësi i linjës së majtë i ka vendosur Ardjan Takajt është i parealizueshëm. Kapiteni i Kombëtares mund të shkojë në Korçë vetëm nëse ata do të luanin me ngjyrat e Tiranës.

Oferta e bërë prej presidentit të kampionëve në fuqi të vendit është realisht joshëse, megjithatë Agolli ka në plan t’i qëndrojë besnik fanellës bardheblu. Në Shqipëri, “Tirona”, sikundër e quan edhe ai vetë, mbetet zgjedhja e parë dhe e vetme. Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë për “panorama sport”. Ai i është përgjigjur me një batutë ofertës së bërë nga Takaj.

Reagimi i mbrojtësit
“Tan Takes nuk ia refuzoj ofertën asnjëherë! Por, problemi është që Skënderbeu nuk luan dot me fanellën bardheblu! Unë në Shqipëri kam luajtur vetëm me një fanellë, atë bardheblu, të Tironës. Përpos batutave, doja të thosha që Takaj dhe stafi i tij janë shembulli më perfekt në Shqipëri se si mund të menaxhohet një skuadër, ndaj edhe rezultatet që ka pasur nuk kanë qenë rastësi. I uroj shumë fat Takajt, por gjithashtu edhe trajnerit të sapoemëruar Daja dhe gjithë ekipit për 2 fazat e mbetura të kampionatit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb