Ardjan Takaj i është përgjigjur dje paralajmërimit që ka bërë ish-presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, kreu i klubit korçar hodhi poshtë aludimet për një përjashtim të mundshëm të Skënderbeut.

“Kush është Gjika që unë t’i kthej përgjigje? Ka ndonjë post që unë të replikoj me të?! Çështja në UEFA ka përfunduar dhe tashmë po merret FSHF. Komisioni i Etikës po merret me këtë çështje prej kohësh dhe unë nuk di pse duhet t’i kthej përgjigje Gjikës apo kujtdo tjetër që merret me të tilla gjëra.
Nuk kam ndonjë informacion që zoti Gjika ka filluar punë në organet e UEFA-s dhe nuk e di çfarë funksioni mund të ketë në zyrat e UEFA-s që ka këtë informacion që ne nuk e kemi. Por, me sa duket, zyrat e UEFA-s në Vlorë kanë informacione me shumë se zyrat e FSHF-së dhe zyrat e Skënderbeut”, është shprehur Takaj.

Ndërkohë, presidenti i korçarëve ka folur në mbrëmjen e djeshme edhe për “Supersport” gjatë emisionit “Zona Gol”. Presidenti i Skënderbeut hodhi dyshime për sjelljen e kolegut të tij, Safet Gjici, në lidhje me arbitrin Enea Jorgji. Takaj e cilësoi skandaloz gjykimin e kryesorit nga Elbasani në Kukës.

Kërkuat gjyqtarë të huaj, por në Kukës drejtoi Enea Jorgji. U zhgënjyet?
Kemi bërë një kërkesë në FSHF për ndeshjen ndaj Kukësit që ishte një nga finalet që do të vendoste titullin. Diçka të tillë e kishte bërë dy javë më parë edhe Partizani. Ishte ndeshja e fundit dhe kërkuam një gjyqtar të huaj që të mos ndikohej.

Ajo kërkesë nuk u pranua nga FSHF dhe ne e lamë në dorë të tyre zgjedhjen e gjyqtarëve, pa pasur asnjë preferencë. Se kush do arbitronte, e mësuam ditën e ndeshjes në orën 12:00 nga rrjetet sociale dhe isha i sigurt se askush nga arbitrat nuk do të merrte përsipër të bënte atë që bëri Jorgji.

Çfarë përgjigjeje morët nga FSHF?
Shkuam dhe folëm për këtë çështje, por na thanë që të mos kishim merak për punën e arbitrimit, sepse do të ishte korrekt.

Si t’u duk arbitrimi…
Problemi do të jetë në vazhdimësi nëse humbet besimi tek arbitrat shqiptarë. Ishte skandaloz. Nuk e di se çfarë besimi duhet të ketë Skënderbeu te ky arbitër? Pse duhet të arbitrojë më ky? Ose duhet të vendoset rregullore më e ashpër nga FSHF për arbitrat. Problemet e arbitrimit i ka e gjithë bota, por duhet rritur niveli i arbitrimit. Sidomos për ndeshjet kryesore. Kampionati është i vështirë, i bukur, i referohem këtij të sivjetshmit, por damkoset nga këta gjyqtarë.

Kukësi, më i favorizuari nga arbitrat, ndërkohë që ju e keni akuzuar Jeminin më parë?
Nuk dua që të merrem me analizën e Kukësit, por nëse e kam akuzuar Jeminin e kam bërë po për ndeshjen ndaj Kukësit në Kukës. Ndërrohen emrat dhe vjen Jorgji e sërish e njëjta gjë, por ky me guxim shumë herë më të madh sesa Jemini.

Akuzat indirekt shkojnë te Gjici, një mik i juaji, apo te FSHF…
Unë po merrem me arbitrin, jo me Gjicin apo FSHF-në. Po merrem personalisht me emrin Enea Jorgji dhe anësorin Denis Rexha, si e kishte emrin.

Kartoni i kuq dhe penalltia e Eminit?
Nuk më shqetësoi kartoni i kuq i Micit, sepse ekipi po luante dhe po kërkonte fitoren me 10 veta. Dhënia e penalltisë, që për mua dhe për ju nuk ishte, pasi edhe arbitri e di shumë mirë që nuk kishte lidhje me penalltinë. Më pas i mohohet penalltia Latifit dhe aty acarimi i lojtarëve arriti kulmin, sepse arbitri ishte shumë tendencioz dhe donte që t’i jepte fitoren Kukësit. Kjo bëri që të kalonte në nervozizëm të tepruar.

Ishit në dijeni që nuk do të kishte arbitra linje?
Nuk dinim asgjë, as për arbitrin. Në drekë e mësuam që arbitër do të ishte Jorgji. Në fushë e pamë që ishin tre. Nuk është aty problemi, sepse edhe po të jenë pesë, nëse kryesori e ka ndarë mendjen për të bërë atë lloj arbitrimi nga minuta e parë, gjyqtarët e linjës do të binden.

Deklaratën e Gjicit “Ka qenë një ndeshje ‘Fair Play’ dhe arbitri nuk ka ndikuar” si e komentoni?
Nuk e kuptoj pse Gjici kërkon të marrë në mbrojtje arbitrin. Ne herë tjetër kemi pranuar edhe gabimet. Gjici nuk mund ta marrë në mbrojtje arbitrin, në rast se është i pastër. Të merret me festën dhe të gëzojë titullin kampion. Në rast se e bën, duhet të dyshojmë për gjëra të tjera.

Çfarë duhet të bëjnë presidentët?
Krijimi i Ligës është domosdoshmëri. Problem është kur ka gabime tendencioze, pasi ka gjithmonë probleme me arbitrimin, por ka disa ndeshje që nuk mund të anashkalohen sepse janë gabime të qëllimshme.

Veprimi i Salihit?
Po luanin dhjetë kundër 11 dhe kishin edhe arbitrin kundër. Është luajtur me nervat e lojtarëve. Ndihesh i dhunuar në fushë nga një arbitër. Më vjen keq që ndeshja kryesore që diskuton titullin, pasi është një vit punë. Kukësi mund të fitojë edhe pa ndihmën e arbitrit fare, siç ka fituar edhe Partizani apo e anasjelltas. Nuk kishte pse të bëhej protagonist arbitri. Është një luftë që duhet të shkonte e lirë deri në fund.

Penallti e padhënë për Kukësin?
Lëre atë rast kur ndeshja ka mbaruar. Nuk është kompensim, por gabim më i madh.

Jeni larguar pa u përshëndetur me Gjicin?
Te goli i dytë, nuk është se ika, por prita derisa ra bilbili i fundit sepse kisha skuadrën aty. Gjici ishte shumë i emocionuar, e përshëndetëm, por nuk mban mend se ishte duke festuar me njerëzit që kishte rrotull.

Çfarë duhet bërë?
Duhet t’i vëmë kufi dhe duhen penalizuar disa arbitra. Nuk është se janë të paaftë, por janë të korruptuar. Ata që janë të tillë, të largohen një herë e mirë nga futbolli. Edhe interesat nuk është se janë aq të mëdha. Titulli të jep, besoj përafërsisht, pagesën e gjysmës së sezonit. Ne presidentët duhet të sillemi shumë mirë dhe të mos ndikojmë në korruptimin e arbitrave, sepse do ta prishnim vetë garën. Ju siguroj që Skënderbeu nuk është marrë me to. Nëse do të ishte për Skënderbeun, arbitrat do të ishin të gjithë me biçikleta e jo me makina luksoze.

Keni thënë që do e shpëtoni mikun tuaj Gjici nga marshimi deri në Kukës…
Dua t’i uroj titullin kampion, se nuk kemi çfarë të flasim më tepër. Jam marrë me arbitrimin, sepse nuk më shqetësoi mua, por të gjithë kampionatin shqiptar.

E ardhmja me Dajën?
Dajën do ta quaj kampion për mënyrën e përgatitjes së ekipit deri në fazën finale. E mori në janar ekipin dhe po të shohësh fazën e katërt e ka bërë të shkëlqyer dhe, pse të mos vazhdojmë bashkëpunimin me të.

Agostineli?
Edhe ai ka bërë punën e tij, nuk mund t’ia mohoj. Me sa duket, nuk i përshtatej mënyrës së lojës së Skënderbeut dhe prandaj nuk ishte i suksesshëm. Daja, mendoj se është i duhuri sepse i përshtatet mënyra e lojës dhe lojtarët i përshtaten Dajës.

Kupa e Shqipërisë, sa e rëndësishme është?
Është e rëndësishme dhe nuk diskutohet që s’do të toleronim fare edhe sikur të shpalleshim kampionë. Duam ta marrim patjetër këtë trofe sepse na mungon.

Me arbitra të huaj?
Nuk ka rëndësi, mjaft të mos jenë tendenciozë, sepse Shqipëria ka arbitra të aftë sa të duash, vetëm të mos jenë tendenciozë./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: