Është e vështirë të përcaktosh saktësisht nëse Ardjan Takaj është një menaxher i zoti për një klub futbolli, një president që përfshihet pothuajse në gjithçka që ndodh në klub, apo një diplomat që kërkon të evitojë problemet dhe të fokusohet vetëm tek objektivi i radhës. Ndoshta është edhe pak nga të gjitha, por këtë herë, ka vendosur të flasë më hapur se zakonisht.

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, kreu i klubit korçar komenton edhe foton e Dukës, që festonte si ultras për kualifikimin e Skënderbeut. Shpesh presidenti i FSHF-së është cilësuar si një aleat i korçarëve, por pas heqjes së titullit pak kohë më parë, raportet u acaruan dhe federata u etiketua si e krimit, pikërisht nga klubi korçar.

Takaj tregohet sa i kujdesshëm, por aq edhe i sinqertë në këtë rast. “Nuk kemi shtetin nga mbrapa që t’i dalim FSHF-së kundër. Duka ka të drejtë të festojë për çdo ekip shqiptar që ecën mirë në Europë. Në fund të fundit, kjo është edhe puna e tij”, thotë presidenti. Më tej, ai rrëfen detaje për merkaton dhe pohon i vendosur se ekipi i tij mund t’ia dalë me Dinamon e Zagerebit.

Çfarë menduat kur ndeshja me Mladën shkoi te penalltitë?
Më erdhi menjëherë në kujtesë ndeshja e pak viteve më parë me Çernomoretsin, ku dogjëm mundësinë për të qenë në fazën e grupeve.

Zbritët në fushë, i komunikuat diçka Dajës apo lojtarëve?
Jo, thjesht po bisedoja me lojtarët që e kanë më shumë problem për të goditur penalltitë, nisur edhe nga fakti që kemi eksperiencë të keqe. Pastaj, Nimaga nuk kishte shans të godiste (qesh). Edhe Radas u tërhoq prej asaj që ka ndodhur disa vite më parë.

Kalimi i tre tureve, mund të quhet mision i realizuar apo mendoni se ky Skënderbe i ka mundësitë të kalojë edhe Dinamon e Zagrebit?
Me sinqeritet ua them, pa e ditur shortin në këto tri ture, objektiv kishim të shkonim deri në fazën e grupeve. Që kur kemi nisur këtë aventurë, këtë qëllim kemi pasur, por se sa do t’ia arrijmë, mbetet për t’u parë. Erdhëm deri në “play-off” dhe tani duhet të luftojmë deri në sekondën e fundit për të kapur grupet.

Është hera e dytë që përballë keni Dinamon e Zagrebit. Çfarë ju bind më tepër këtë herë, pse keni më shumë shanse për të kaluar kroatët?
Unë mendoj se kemi më shumë shanse, pasi skuadra i ka dhënë provat. Pra, ekipi ka reaguar në këto tre ture, edhe kur ka pësuar gol i pari, qoftë në shtëpi apo transfertë me skuadra të forta si Kairati apo Mlada. Eksperienca duket që është më e madhe dhe loja që kemi bërë e ka vërtetuar këtë. Më bind më shumë forca që ka ekipi im, se sa fakti që Dinamo mund të jetë dobësuar.

Kur kemi luajtur dy vite më parë, e shikonim me syrin e një klubi shumë të madh për t’u kaluar. Gjërat tashmë janë ndryshe, sepse ne e kemi provuar veten në Europë në gjithë këto vite, duke luajtur me klube edhe më të forta se Dinamo. E dimë se çfarë niveli jemi dhe lojtarët janë të ndërgjegjshëm se çfarë duhet të bëjnë. Natyrisht, na duhet edhe pak fat për të qenë në grupe.

Nga arkëtimet e UEFA-s keni përfituar deri më tani 920 mijë euro. Sa i balancon shpenzimet e Skënderbeut kjo shumë?
920 mijë euro nuk janë pak, por e vërteta është se nuk plotësojnë as buxhetin e një sezoni te Skënderbeu. Buxheti ynë është shumë i madh dhe duhet bërë ndonjë transferim në dalje për të kapur atë që duam. Pra, të arrijmë në nivelin që kërkojmë sa i përket arkëtimeve.

Për ekipet shqiptare, objektivi duhet të jetë vetëm kalimi në grupe, pasi vetëm kështu plotësohen të gjitha. Nuk janë vetëm rrogat në një klub, pasi ka shumë shpenzime të tjera gjatë gjithë rrugës.

Nëse nuk është sekret, nga vera e vitit 2016 kur u dënuat nga UEFA dhe deri më tani, sa ka shpenzuar Skënderbeu ose më saktë, cilat njihni si humbje?

Nga viti 2016 dhe deri më tani, ne kemi shpenzuar 3 milionë e gjysmë euro. Merreni vetë me mend se çfarë dëmi na është bërë për mospjesëmarrjen në Champions, sezonin e kaluar. Pra, ky është shpenzimi në total te Skënderbeu, që nga viti i kaluar dhe deri më tani.

Të flasim pak për merkaton. Çfarë po ndodh me sulmuesin malazez, Goran Vujoviç. Kemi mësuar se kërkoni t’i prishni kontratën?
Në ditët në vazhdim do të shikojmë se si do të veprojmë me sulmuesin. Problemi është i thjeshtë: ne duam sulmues cilësorë dhe jemi në kërkim të një tjetri.

Nuk mjafton as ardhja e Ali Soue?
Ne nuk mendojmë vetëm për Europën, llogaritë i bëjmë edhe për kampionatin, që është shumë i gjatë.

Goditja e radhës në sulm, a është sërish i huaj?
Nëse dini ju ndonjë shqiptar, ma thoni se e marr direkt.

Partizani mori Çanin…?
Kemi gërmuar shumë për të gjetur ndonjë shqiptar, qoftë edhe që luan jashtë, por nuk ka. Jemi duke parë disa alternativa, por mos më pyesni të them emra. Sa herë publikohet dikush që ne jemi në bisedime, na janë prishur të gjitha. Më besoni për këtë.

Është e vërtetë që Latifin e kërkon edhe Dinamo Zagreb?

Jo, nuk mund ta them këtë. Latifi është transferim i kryer, direkt pas Europës. Pastaj, ndryshon puna nëse ne kalojmë Dinamon e Zagrebit. Me futjen në grupe, ndryshojnë gjërat dhe Latifi mund të qëndrojë.

Cili është klubi që ka bërë ofertën më joshëse?

Të thashë, harroje ta them, jo vetëm për Latifin, por edhe atë që do marrim. E di pse? Sepse sa përmendet emri i klubit, me dhjetëra menaxherë turren dhe nisin bisedimet, sikur të jenë përfaqësues të Skënderbeut.

Është shumë konfidenciale dhe ne duam të ruajmë seriozitetin si klub, pasi nuk mund të përfaqësohemi nga dhjetëra menaxherë. Nëse nuk firmosim diçka, nuk ka shanse ta publikoj, sepse jam i bindur që do të prishet në moment. Këtë e them nga eksperienca që kam, sepse për disa lojtarë, më kanë ndodhur shumë raste.

Në ndeshjen e fundit ndaj Mladës është parë edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili festoi si një ultras i Skënderbeut kualifikimin…

Nuk më bëri përshtypje, sepse puna e Dukës kjo është. Sa më lart të ngjiten ekipet shqiptare, aq më mirë pasqyrohet edhe puna e FSHF-së. Duka nuk është i ndarë nga klubet. Puna e tij kjo është…

OK, por e keni cilësuar institucionin që ai drejton si Federata e Krimit në Futboll…
Nejse, ai ishte një moment emocional. Duhet të kuptojmë se këtë Federatë kemi dhe ky është presidenti ynë. Tani, ne ose duhet të bashkëpunojmë me FSHF, ose duhet të ikim dhe të heqim dorë nga futbolli. Jemi Skënderbeu ose më saktë Korça, nuk mund ta sulmojmë Federatën me gurë. Nuk jemi aq të fortë, apo të kemi shtetin mbrapa dhe t’i bëjmë karshillik FSHF-së.

FSHF ju hoqi titullin e sezonit 2015-2016. Apelin e keni bërë apo jo?
Po, e kemi bërë në KAS-in e Lozanës dhe jemi në pritje. Jemi brenda afateve.

Në fund, një ide për kampionatin e ardhshëm. Çfarë prisni?
Nuk dua të komentoj se si kanë operuar në merkato ekipet e tjera. Të gjithë janë në punë dhe shikojnë interesin e tyre. Çdo klub ka filozofinë e vetë, siç po punojmë ne, punojnë edhe kundërshtarët.

panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb