Situata në kampin e Skënderbeut pas tri barazimeve radhazi, por sidomos pas humbjes së dy pikëve në ndeshjen e fundit kundër Kukësit, duket se nuk është aq pozitive. Një gjë të tillë e tregon mjaft qartë mbledhja që presidenti Ardjan Takaj organizoi mbrëmjen e së mërkurës me ekipin. Ishte rasti i parë që Takaj takoi skuadrën pas ndeshjes me Kukësin për shkak të impenjimeve të Kombëtares dhe natyrisht dukej qartë se nervat ende nuk i kishin rënë presidentit të Skënderbeut.

Në mbledhje ishin prezentë të gjithë lojtarët, si dhe stafi teknik i Skënderbeut. Takaj i kërkoi llogari ekipit të tij për tri paraqitjet e fundit, ku në mungesë të fitoreve është krijuar një situatë jo e këndshme në lidhje me luftën për fitimin e titullit kampion. Tonet kanë qenë të larta nga ana e presidentit të Skënderbeut. Burime nga kampi bardhekuq bëjnë me dije se numri një i klubit ka kërkuar reagimin e menjëhershëm të ekipit dhe jo një lojë pasive në fushë, sikur nuk u intereson më asgjë.

“Paraqitjet e fundit nga ana juaj kanë sjellë këtu ekipin, derisa vendosa të bënim këtë mbledhje. Barazimi kundër Kukësit ishte një hap fals, që mund t’i kushtojë shumë ekipit në luftën për titull. Ju e dini mjaft mirë se sa i rëndësishëm është ai trofe, sidomos për një ekip si Skënderbeu, që është mësuar të fitojë gjithmonë.

Sigurisht, në futboll ka humbje, barazime dhe fitore, por ajo që më bën përshtypje është fakti se jeni mjaft pasivë në fushë edhe kur humbni apo barazoni, gjë që nuk ndodhte me këtë ekip sezonet e tjera. Paraqitje të tilla janë të patolerueshme për ne dhe kërkoj reagim të menjëhershëm, ashtu siç dini ju të reagoni kur duhet të reagoni. Ndeshja ndaj Partizanit është afër dhe dua një ekip me 11 luftëtarë në fushë, që do të kërkojnë fitore nga minuta e parë deri në të fundit”. Kështu u është drejtuar mes të tjerave presidenti Takaj lojtarëve gjatë mbledhjes së fundit.

HESHTJE PËR SHTYP
Më pas, presidenti ka kërkuar nga ekipi i tij që të mos flasë në asnjë media deri pas ndeshjes me Partizanin, duke diktuar kështu heshtjen për shtyp për Skënderbeun. “Është absurde që të vijoni të flisni nëpër media kur nuk po tregoni dot forcën që ju karakterizon në fushë. Prandaj dua që nga ky moment e deri në fund të ndeshjes kundër Partizanit, askush të mos flasë më”, përfundoi Ardjan Takaj.

MASAT
Natyrisht që ndeshja kundër Partizanit është mjaft e rëndësishme për Skënderbeun, për sa i përket fitimit të titullit kampion, që është edhe objektivi kryesor i bardhekuqve. Po të njëjtat burime bëjnë me dije për gazetën se fitorja është rezultati i vetëm që rikthen qetësinë te Skënderbeu, por edhe një barazim mund të tolerohet. Nëse skuadra e trajnerit Ilir Daja mundet në takimin e fundjavës ndaj Partizanit, sigurisht që situata do të komplikohej mjaftueshëm. Në rast humbjeje, gjobat mund të ishin të pashmangshme te Skënderbeu./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: