TIRANE- Pas përfundimit të kampionatit, skuadra e Skënderbeut tashmë po mendon vetëm për finalen e Kupës së Shqipërisë. Më 31 maj, ora 19:00, ekipi korçar do të luajë në “Elbasan Arena” finalen e Kupës dhe përballë do të ketë ekipin e Tiranës, që tashmë ka rënë edhe zyrtarisht në Kategorinë e Parë. Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se korçarët duan ta mbyllin sa më mirë këtë vit futbollistik dhe trofeu i Kupës është rikthyer në një dëshirë të madhe, sidomos ditën e djeshme.

ULTIMATUMI
Presidenti Ardjan Takaj i ka bërë thirrje skuadrës që të jetë e motivuar maksimalisht për ta sjellë në Korçë patjetër këtë trofe për dy arsye: E para është se Kupa është trofeu i dytë sa i përket rëndësisë në futbollin shqiptar, ndaj ngushëllimi më i mirë do të ishte që klubi i Skënderbeut të fitonte për herë të parë në historinë e vet, këtë trofe. Arsyeja e dytë lidhet drejtpërdrejt me kundërshtarin, ekipin e Tiranës. Gazeta mëson se inati është shumë i madh në ambientet e klubit të Skënderbeut me bardheblutë. Drejtuesit mendojnë se protagoniste absolute në prishjen e kampionatit u bë pikërisht Tirana duke toleruar hapur në ndeshjet direkte me skuadrën e Kukësit dhe duke u dhënë një dorë të mirë këtyre të fundit të shpallen kampionë të Shqipërisë.

Kështu, për këtë arsye, presidenti Takaj i ka vendosur ultimatum skuadrës që ta fitojnë me çdo kusht trofeun. Fitimi i Kupës nga ana e bardhebluve dhe pjesëmarrja në Kupat e Europës do të ishte një ngushëllim i madh për kryeqytetasit, gjithashtu do të shpëtonte në njëfarë mënyre sezonin, pasi do të mbushte arkat e klubit me të ardhura, ndaj korçarët duan medoemos që ky trofe të mos u shkojë bardhebluve.

Ata duan që Tirana të paguajë për mëkatet e saj dhe, përveç rënies nga kategoria, të mbetet edhe jashtë Europës. Duke bërë këtë, Skënderbeu do t’i bëjë një dhuratë të drejtpërdrejtë ekipit të Luftëtarit, të cilët me meritë të plotë u pozicionuan në vendin e katërt në klasifikim dhe, nëse korçarët fitojnë Kupën e Shqipërisë, ata shkojnë automatikisht në turin e parë eliminator të Ligës së Europës.
Skënderbeu nuk arriti të fitonte titullin e shtatë radhazi. Por, tashmë do të synojë të ngrejë lart trofeun e Kupës së Shqipërisë që nuk e ka fituar asnjëherë në histori. Finalja ndërmjet korçarëve dhe Tiranës do të luhet të mërkurën, në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan. Ky takim pritet me shumë interes nga tifozët korçarë./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: