DURRËS- Grupi hetimor me oficerë të policisë dhe prokurorë të Durrësit ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe objekteve pranë të cilave Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti kanë bërë lëvizjet e fundit dje para ekzekutimit me breshëri kallashnikovi.

E pikërisht nga shqyrtimi i pamjeve filmike policia ka arritur të evidentojë edhe personat e takimit të fundit të dy viktimave. (foto ilustruese)

Burime për “BalkanWeb” bënë me dije se nga pamjet filmike ka rezultuar se pak minuta para atentatit 2 të rinjtë janë takuar në një pikë karburanti me dy vajza, të cilat ishin me një automjet tip “Smart”. Pasi kanë biseduar disa minuta me to, Dalipaj dhe Dauti janë larguar me “Audi”. Deri tani nga pamjet filmike nuk është identifikuar ende automjeti tip Fuoristradë i autorëve, por janë duke u kontrolluar një numër i madh i pamjeve filmike të kamerave të sigurisë të dhjetra bizneseve.

Ndërkaq pritet që pas identifikimit të dy vajzave policia t’i marrë në pyetje për hedhur dritë mbi ngjarjen që dje tronditi Durrësin dhe që dyshohet se ka si motiv hakmarrjen ose larjen e hesapeve për shkak të së kaluarës së dy viktimave.

Çelësi i këtij krimi mund të jenë pikërisht këto dy vajza, nëse ato kanë pasur njohje apo lidhje me dy viktimat. Dëshmia e tyre mund të jetë thelbësore për zbardhjen e ekzekutimit që ndodhi dje në Durrës.

ITINERARI
Gazetarja e kronikës në ‘News24’, Klodiana Lala ka dhënë dje disa detaje te reja në lidhje me atentatin në autostradën Tiranë-Durrës, ku mbeti i vrarë ish shefi i Krimit Ekonomik në Tiranë, Ervin Dalipaj së bashku me Juxhin Dautaj.

E ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në ‘News24’, Lala tha se Juxhin Dautaj ishte në Tiranë së bashku me Dalipajn dhe janë nisur drejt një restoranti në Sukth.

“Kanë qenë në Tiranë dhe pasi kanë konsumuar drekën në një restorant në Sukth, Juxhin Dautaj dhe Ervin Dalipaj kanë shkuar në një servis automjetesh, ku kanë ndërruar një llambë të mjetit, e cila si duket nuk punonte. Pasi kanë mbaruar punë në servis, ata kanë parë se si mjeti i autorëve i parakalon për pak metra dhe nis të hapë zjarr ndaj tyre. Juxhin Dautaj dhe Ervin Dalipaj ishin nisur drejt Vlorës, pasi Dautaj është nga ky qytet”- tha gazetarja Lala.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb