TIRANE– Sipas publicistit Besnik Mustafaj, takimi në Singapor i presidentit amerikan Donald Trump me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është shenjë e mirë për paqen në botë. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Mustafaj tha se pas këtij takimi, bota shpreson për rezultate pozitive.

“Takimi i Singaporit, bota shpreson për rezultate pozitive. Është shenjë e mirë që u mbajt takimi Trump-Kim Jong Un. Tregon se SHBA vijojnë të jenë të preokupuara për paqen në gjithë botën. Është shenjë e mirë që Kim Jong Un e pranoi të zhvillojnë një takim të tillë. Është një shpresë që vjen nga fakti se Koreja e Veriut do të mund të futet në rrugë negociatash dhe të përfshihet në këto raporte ndërkombëtare në emër të paqes. Dihet nga të gjithë se kush është Kim Jong Un, apo Koreja Veriut, dhe kjo cilësohet si një zhvillim pozitiv”, u shpreh Besnik Mustafaj.
mustafaj
Duke u ndalur tek politika e jashtme e Trump, i cili në samitin e G7 pati një sjellje të ndryshme, Mustafaj tha se:

“Presidenti Trump me rastin e vendeve të G7 ka problemin e tarifave doganore. Ndaj ai është një qëndrim i paralajmëruar. Trump po shkel angazhimin që ka edhe në Organizatën Ndërkombëtare të Tregtisë, sa i takon çështjes së tarifave doganore. Trump kërkon të bëjë marrëveshje dypalëshe”, u shpreh Mustafaj.

Besnik Mustafaj tha se emri i ri i Maqedonisë është korrekt dhe shqiptarët atje duhet të jenë të kënaqur.

“Besoj se është një emër korrekt dhe brenda kuadrit të Maqedonisë meqë është një vend multientik. Me emrin e ri pakicat nuk ndihen të diskriminuara. Më duket një emër i përshtatshëm për të gjithë qytetarët dhe rrëzon ato pretendimet që i kemi quajtur absurde se Maqedonia synon territore në Greqi. Shqiptaret në Maqedoni duhet të jenë të kënaqur me këtë emër. Kjo është një zgjidhje e përshtatshme për ta”- tha Mustafaj.

Sa i përket çështjes së Teatrit Kombëtar, Mustafaj tha se po vihen interesat e privatit mbi interesat e publikut she se artistët janë të përçarë për këtë çështje.

“Po vihen interesat e privatit mbi interesat e publikut. A do jenë të zotë artistet të fitojnë betejën e tyre mendoj se jam disi skeptik për këtë çështje, pasi janë të përçarë. Politizimi i një kauze të tillë i bën dëm vetë kauzës. Unë doja të kishte një mbështetje më të madhe nga opinioni publik”- tha ai.

(BalkanWeb)