Nje delegacion prej katër senatorësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Roy Blunt, John Cornyn, Tom Cotton dhe Thom Tillis zhvilluan një takim mbi aktualitetin politik në vend me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka konfirmoi mirënjohen maksimale të popullit Shqiptar dhe në veçanti të Partisë Demokratike për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë demokracisë në vend. “Kjo vizitë është dëshmia më e mirë e kësaj mbështetjeje dhe të interesit të Shteteve të Bashkuara ndaj krizës që po kalon vendi”, tha Paloka.

Nënkryetari Paloka i njohu senatorët me faktin se prej katër vitesh Shqipëria është nën diktatin e një qeverisjeje të kapur nga interesa të ngushta kriminale, nje qeveri e cila ka mbështetur dhe është implikuar drejtëpërsëdrejti në kanabizimin e vendit. Me fitimet kolosale të trafikimit të kanabisit, tha Paloka, është financuar dhe blerja masive e votës anembanë vendit ne zgjedhjet e 25 qershorit.

Raportet ndërkombëtare, si ai i Departamentit të Shtetit dhe te mediave ndërkombëtare kanë theksuar shqetesimet e opozitës. Krimi i organizuar dhe rritja e trafikimit të drogës është bërë nën bekimin politik. Qeveria ështe njësh me krimin e organizuar duke angazhuar me kohë të plotë dhjetëra individë me rekorde kriminale, përfshirë dhe kandidimin e tyre.

Zgjedhjet e 25 qershorit treguan më së miri se fenomeni i shitblerjes së votës është tashmë masiv, se paratë e krimit e të drogës blejnë pushtetin, e pushteti mbahet duke lejuar krimin dhe drogën. E ky nuk është më një shqetësim kombëtar, por po cënon sigurinë e rajonit ashtu siç dhe theksoi dhe prokurori italian Roberti pak ditë më parë, theksoi Paloka.

Z. Paloka i rikonfimoi senatorëve se “Partia Demokratike do të vazhdojë të luftojë për një Shqipëri demokratike e një qeverisje totalisht të shkëputur nga interesat kriminale e korruptive duke mbështetur integrimin europian ashtu si dhe forcimin e shtetit ligjor. Në këtë drejtim, kontributi Amerikan do të ngelet jetik duke dalur gjithmonë në krah të vlerave euro-atlantike të vërteta.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb