Nga Mero BAZE
Tre deputetë të grupit parlamentar të PD, nuk ju bindën vendimit politik të PD, për të mos votuar Gramoz Ruçin. Dy votuan pro Ruçit, ndërsa i treti abstenoi, duke votuar kundër vendimit politik të PD-së, që votoi kundër. Nuk ja vlen të bëjmë gjueti shtrigash dhe të gjejmë kush ishin ata, por është e sigurtë, se PD po vuan krizën e betejave fallco të saj, duke glorifikuar në fund më shumë se meritojnë, kundërshtarët që cakton rastësisht.

Pas votimit të sotëm, Gramoz Ruçi është më fitimtar se sa ishte para se PD të shpallte aksionin “e madh” në emër të një grupi minor politik, që më shumë kanë dëshirë të bëhen anëtarë të PD, se sa të përfaqësojnë ish-të persekutuarit që PD i braktisi për 25 vjet.

Kush e mban përgjegjësinë për këtë dështim?

Sikur të ishim në kushtet e një grupi parlamentar serioz, Edmond Spaho për shembull duhet të jepte dorëheqje, pasi në një votim ku PD është investuar politikisht, ai dështoi të mbante nën kontroll tre deputetë.

Por të gjithë jemi aq seriozë, sa të na duket jo serioze një kërkesë e tillë, pasi dyshoj që Spaho i njeh gjithë anëtarët e rinj të grupit dhe me siguri as e ka pyetur kush për këtë “kauzë”.

Po ashtu, nëse PD do të jetë serioze, duhet të kuptojë që ata karagjozët që u betuan se “do rrethojnë Kuvendin” dhe do ndalin Gramoz Ruçin të bëhet kryetar, nuk bënë dot as dhjetë vetë bashkë jashtë Parlamentit. Dhe ky është një poshtërim që ata i bëjnë ish- të persekutuarëve, pasi duket sikur i bën ata aleatë me Gramoz Ruçin. E vërteta është se ata njësoj si PD, nuk përfaqësojnë ish- të persekutuarit dhe burgosurit politik. Aty ishin më shumë roje dhe personel SHQUP-i, se sa të persekutuar. Të persekutuarit e vërtetë politik dhe ajo pjesë që beson PD-në, janë në shumicë larg PD-së, ose jashtë saj, për shkak të Berishës dhe Bashës. Kjo është rivrasja e dytë që u bëhet atyre, duke dështuar në emër të tyre.

Problemi real qëndron tek Lulzim Basha, tek fakti që ai nuk merr dot vendimet e tij, por është nën presionin e çdo deliranti, mitomani apo karagjozi, që e tërheq në beteja qesharake dhe i humbet seriozitetin opozitës. Dita e parë e punës së tij si opozitë parlamentare, e tregoi më së miri këtë.

Duke qenë një kauzë fallco dhe duke u investuar nën stilin e kërcënimeve të Berishës për përmbysje, PD rriti pritshmërinë për një aksion që ishte qysh në fillim i dështuar. E nis, duke lartësuar figurën e Gramoz Ruçit më shumë se sa e meriton, duke e bërë kryetar përtej së majtës e të djathtës, çka ai nuk e do as vetë. Mbi të gjitha, e nis ditën e parë si opozitë në Parlament, me rrjedhje votash nga brenda dhe me disa të rrjedhur jashtë Kuvendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: