Një histori sa interesante, aq edhe rrëqethëse ka familja e talentit të madh shqiptar, Lindon Selahi që mbrëmjen e së dielës në stadiumin “Mbreti Boduen” festoi me flamurin kombëtar triumfin e skuadrës së tij Standard Liege ndaj Genk (1-0) në finalen e kupës së Belgjikës.

Selahu (19 vjet) edhe pse nuk luajti asnjë minutë festimin e fitores e bëri në mënyrë të veçantë, duke dëshmuar origjinën.

Familja Sellahi është me prejardhje nga Kumanova e Maqedonisë. Gjyshërit e tij para 60 viteve kanë emigruar në Turqi. Mirëpo, jeta në tokën e premtuar nuk iu kishte pëlqyer dhe pas 4-5 vitesh vendosin që të largohen. Janë shpërngulur në Namyr të Belgjikës, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Në Namyr ka lindur edhe babai i Lindonit. Edhe pse të lindur në këtë qytet familja Selahu ka arritur të ruaj gjuhën dhe traditat shqiptare, një amanet i gjyshit të tij.

Gazeta Lajm ka kontaktuar lojtarin, i cili i ka dhwn një intervistë.

Lindon, na tregoni si ka nisur karriera juaj?

“Unë me futboll kam nisur të merrem që nga mosha 7-vjecare. Fillimisht në Namyr, pastaj kalova në Akademitë e shkollave të futbollit në Standard Liege dhe Anderlecht. Pastaj pas dy vitesh u ktheva sërish në Standard ku jam edhe sot. Kam luajtur për të gjitha ekipet zinxhirë të Standardit. Nga nëntori i vitit 2017 jam pjesë e ekipit të parë dhe tani po pres të debutoj në një ndeshje zyrtare në kampionatin belg.”

Cili është pozicioni juaj në fushë?

“Luaj mesfushor.”

Të dielën në mbrëmje me Standardin fituat kupën belge. Ju nuk luajtët, por festuat me flamur kombëtar. Si ishte ndjenja?

“Fitorja në kupë ishte objektiv i klubit, pasi tani kemi siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Europës. Unë nuk luajta, isha në pankinë dhe prisja rastin. U gëzova që fituam kupën. Isha mjaftë i emocionuar. Është trofeu im i parë me Standardin. Pas përfundimit të ndeshjes mora flamurin kombëtar dhe festova në fushë. Ishte një mbrëmje e paharrueshme.”

Me që jeni të lindur në Belgjikë, keni luajtur për grupmoshat e reja të Belgjikës?

“Kam qenë pjesë e grumbullimit të fundit me Belgjikën U19.”

Po nga FSHF-ja keni pasur ndonjë kontakt?

“Me Shqipërinë kemi pasur kontakte më herët, ndërsa muajt e fundit jo. Tani jam i koncentruar te Standardi.”

Po, cilën Kombëtare do ta kishit zgjedhur: Belgjikën, Maqedoninë apo Shqipërinë?
“Unë kam vetëm shtetësi belge. Maqedonia nuk më intereson, por vetëm Shqipëria ose Belgjika. Mirëpo, tani nuk mund të them asgjë, sepse nuk kam folur me trajnerin e ekipit U21, dhe as me trajnerin e kombëtares së Shqipërisë.”

Lojtari yt i preferuar?

“Modric dhe Kroos janë futbollistët e mi të preferuar.”

Për fund ndonjë dëshirë?

“Dëshira ime është që në fund të sezonit me Standardin të kualifikohemi në play-off të Belgjikës dhe të jem pjesë e skuadrës.”/ Gazeta Lajm

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb