Nga Bedri ISLAMI

Nga të gjithë liderët socialistë, ai, me të cilin nuk u takova asnjëherë, ishte Gramoz Ruçi. Megjithëse në të njëjtin Kongres ishim bashkëzgjedhur anëtarë të Forumit të lartë Socialist, largimi im që nuk u mirëprit prej tij, siç duket, do të ishte edhe fundi i një lidhje që nuk filloi asnjëherë.

Por, nuk do të thotë se kam qenë i ftohtë ndaj aktivitetit të tij, pasi, nëse ka disa figura politike të cilat janë, si të thuash, pamja e parë e socialistëve, mund të përmblidhet në disa emra, njëri nga të cilët është pikërisht Gramozi.

Sot, e shtunë, ai do të jetë pikëtakimi i parë i opozitës dhe i shumicës qeverisëse. Të parët do të jenë kundër tij, të dytët do e mbështesin.

Në fakt ky është një refren që është përcjellë në çdo fillim legjislature dhe kjo që do të ndodhë sot nuk është asgjë e re dhe asgjë e paditur.

Demokratët kanë refuzuar kandidaturën e Kastriot Islamit, i cili më pas, si shenjë zemërimi donte t’u hapte kafkat, ( kishin qenë të gabuar, pasi ai ishte i gatshëm në një lidhje dashurie politike me ta), ndërsa socialistët e mbështetën, megjithëse ai lehtësisht ua ktheu shpinën.

Ndoshta pak më shumë konsensus kishte me Arbnorin, por, megjithëse nuk ishin të një mendje, socialistët ishin më të lehtësuar me të, pasi edhe ai vetë ishte diçka më i urtë se ish-komunistët që u bënë demokratë. Natyrisht, nuk kishte marrëveshje për Topallin, dhe nuk kishte arsye të ishin në një mendje. Harbutëria, me të cilën ajo e drejtoi parlamentin dhe shpenzimet budallshëm marramendëse, ishin nga ato shenja që të largonin nga statura e saj politike, që kurrë nuk u bë e plotë, kurrë civilizuese dhe e pranueshme.

Tani është radha e Gramozit. Njeriu që për tre dekada është aty, në parlament, një zë i veçantë dhe kurdoherë i njëjtë, në një sallë me disa nga ato që i rrinë ballas, nuk është i panjohur. Ndoshta, nga e majta, është më i njohuri, më i përballuari dhe, duhet saktësuar, në më trimat. Sepse parlamenti kërkon edhe trimëri, sidomos kur të ujkojnë rreth e rrotull.

Gramozi do të jetë sot, nga ora dhjetë, shënjestra e re e opozitës.

Do të ketë përballë dy lloj opozitash: njëra që ka dalë nga e njëjta linjë si edhe Gramozi, dhe, tjetra, që njërën këmbë e ka tek e shkuara dhe tjetrën në një llum korrupsioni banal e tragjik njëherësh.
LSI është opozita bashkëqeverisëse me Gramozin.

Kanë qenë bashkë në të njëjtën strukturë politike, bile në majën e saj, miq prej dekadash dhe e kanë mbrojtur njëri-tjetrin, kanë bërë bashkë punë të mira dhe kanë fshehur gjëra që nuk duheshin bërë, kanë qenë të sulmuar nga Berisha sa herë i ka rënë rasti dhe e kanë sulmuar atë rast e pa rast; nuk ka pasur mes tyre humnerë ndarje, edhe kur opozita e sotme ishte hedhur në krahët e Berishës, edhe kur kishte përfunduar në përqafim me Ramën. Gramozi kishte menduar gjithnjë se mes tyre ka një rrugë që mund të jetë e përbashkët dhe, duam apo nuk duan opozitarët e së majtës, ata janë mbështetur tek ai, ai vetë ka qenë gjithnjë pika e takimit ku janë sheshuar grindjet dhe sherret, jo aq të paktë tek socialistët, sidomos kur janë në pushtet.

Nuk e di përse LSI ka vendosur të bëjë tragjiken ndaj një figure politike, me të cilin nuk e ka ndarë thuajse asgjë dhe që, duke e vënë veten në pozicionin e Nëntë në një fushatë elektorale, dëshmoi se mund të sjellë përmbysjen, duke e nxjerrë veten në sipërfaqe dhe pa mbytur të tjerët.

LSI e ka ditur me kohë se Gramozi ka qenë në një kohë ministër i Brendshëm, e po ashtu, e ka ditur fare mirë se vrasjet e ndodhura në Shkodër, në 2 prill 1991, jo vetëm nuk kanë lidhje me të, por fajtorët dihet se ku duhen kërkuar.

Nëse ky është shkaku i mosmiratimit të Gramozit, atëherë e gjithë qenia e tyre në politikë është një kotësi, e cila ka rrjedhur përmes konfiguracionit politik e jo sipas të vërtetës.

Opozita e majtë ndaj shumicës së majtë, më shumë se gjithçka tjetër, ka dëshirën të tregojë se është një opozitë ndryshe, e fortë, agresive, se ajo do të qëndrojë përballë qeverisë si një shkëmb graniti dhe se, loja e deritanishme parlamentare do të shndërrohet në një fushë beteje. E pranuar kështu, ajo që do të dëmtohet më tej do të jetë vetë kjo pjesë e opozitës, e cila, duke dalë mbi të djeshmen e saj, nuk hedh një themel qëndrese për të nesërmen, por thjesht fillon e bëhet shtojcë e lojës politike të opozitës së djathtë.

Shqupasit nuk e duan Gramozin për një mijë e një arsye. Janë ndeshur me të në 27 vite pluralizëm, i kanë provuar të gjitha, që nga shantazhi politik e deri jetëprerës, janë bërë aluzione rreth ikjeve dhe bizneseve të tij, i janë sjellë në atë sallë gjithëfarë emrash dhe ngjarjesh, e përsëri, ai është aty e tani do të bëhet, si i thonë, i pari i asaj salle.

Alibia e ngjarjeve të 2 prillit është e rënë prej kohe, së paku për tre shkaqe themelore:
-sepse askush nuk e ka sqaruar deri në fund ditën e 2 prillit, kush qëndronte pas tyre dhe kush ishin të vërtetë vrasësit realë,

-sepse, si nuk ndodhte më parë, ai ishte i pari ministër i Brendshëm, i cili, mes rrëmetit, ku të gjykuarit gjuheshin me këpucë dhe thirreshin vrasës, ku salla e kinemasë ishte një kopje e gjyqeve të viteve të para të komunizmit, megjithë kërcënimet, vajti në sallë, tha çfarë kishte për të thënë, u përgjigj në pyetjet e dërguara me faks nga Tirana drejt prokurorit dhe gjyqtarit , dhe askush nuk kishte guximin ta trajtonte si fajtor, -sepse, në këto tre dekada, vetë PD-ja ka ngritur akuza dhe i ka cilësuar vrasësit e 2 prillit, që ishin brenda saj, e njërin nga të cilët, pasi e nxorën në pritë, e bënë Hero, i ngritën buste, ia pasuruan familjen dhe ia bënë pasardhësit deputetë, si për të shlyer mëkatet e tyre.

Shqupasit kanë në kokën e tyre një njeri pjesë të 4 vrasjeve dhe të vjedhjeve masive, i cili i ka mbyllur gjërat me procedurë, nuk është përgjigjur ende për vrasjet e ndodhura, është fshehur pas kurrizit të babait politik dhe i ka bërë gjëmën këtij vendi.

E djathta, e cila në fakt thirret kështu pasi nuk ka asgjë të përbashkët me të djathtën, do të kishte qenë kundër secilit deputet që do të kandidonte në atë post. Pa asnjë dyshim. Ajo ishte kundër “ të vetëve”, që u rebeluan fare pak kur mbetën jashtë listave deputetllëku, e jo më ndaj “armiqve” të së majtës.

Gramozi do të jetë, me shumë mundësi, kryetari i Kuvendit më institucional, më i saktë dhe më i rreptë.
Është e vërtetë se ai vjen nga shkolla e vjetër, por ajo shkollë qeverisje, megjithëse në një sistem sakat, ishte vërtet shkollë e jo strukturë hajdutësh, siç po ndodh në kaq vite. Ajo ishte shkolla e qeverisjes me një kontroll të fuqishëm dhe, edhe kur njerëzit nuk e donin pushtetin, besonin se ka një shtet të rreptë mbi veten e tyre.

Përzgjedhja e tij kthen edhe një herë vëmendjen ndaj atyre që mungojnë në atë sallë dhe që ishin bashkëthemelues të një linje të re të politikës shqiptare. Mungojnë aty shumë nga themeluesit, të cilët nuk janë të përjetshëm në poste, por Gramozi është aty dhe duke qenë, në një farë mënyre sjell edhe miqtë e tij të dikurshëm.

Opozita sot do të vërdalloset ndaj figurës së tij me të gjithë vreret e mllefet që ka. Është e pritshme dhe njëkohësisht e natyrshme që të kundërshtojë, por jo pa mend dhe jo vetëm se është opozitë.
Të jesh opozitë nuk do të thotë të hidhesh përpjetë edhe kur të thonë mirëdita, pasi kjo e fundit është një ditë e gjatë dhe të papriturat e saj kanë nevojë për një urim normal, njerëzor dhe të arsyeshëm.
Nëse opozita do e mbështesë mendimin e veprimin e saj politik vetëm në çjerrjet e zakonshme në Kuvend, të jetë e sigurtë se edhe pas katër viteve do të jetë e detyruar të shohë në rolin e të parit të tyre Gramozin dhe do të jetë krejt ndryshe nga sa janë mësuar.

Deri tani kemi pasur kryetarë Kuvendi mallkastriot, shkodranë, dy herë radhas, kuksian, skraparli, tani do të kemi një lab….

Unë i respektoj lebërit…më ngjaJnë me drenicakët, por me dëshirën e madhe për politikë të zgjuar.
Gramozi është njëri prej tyre. Sot, pas sherreve dhe debateve, ai do të jetë edhe më i afërt për të majtën dhe do ia largojë të djathtës edhe më shumë pushtetin.(Dita)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: