Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka bërë thirrje për një integrim më të mirë të BE dhe për guxim. Kjo pas arritjes në përfundimin se Donald Trump po i minon lidhjet transatlantike si në G7.

Gjermania reagoi ndaj “politikës egoiste Amerika e para” e Presidentit të SHBA, Donald Trump, duke i kërkuar BE që të “bashkojë forcat” dhe që të tregojë më tepër guxim – në vazhdim të një retorike më kundërvënëse nga ana e Gjermanisë, që pasoi vendimin e SHBA për të tërhequr nënshkrimin nga deklarata e G7-ës.

“Nën Presidentin Trump Atlantiku është bërë më i gjerë”, tha ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në një fjalim në Berlin me hashtagun #EuropeUnited. “Atje ku qeveria e SHBA u vë hapur pikëpyetje vlerave dhe interesave tona, ne sigurisht duhet të mbajmë një qendrim më rezistues”.

Gjatë fjalimit, që u mbajt në Berlin në një dhomë plot me evropianë të rinj në aktivitetin Pulse of Europe, Maasi kritikoi vullnetin e Trumpit për të minuar “me aq kohë sa të duhet të shkruash një tweet”, aleancat e zhvilluara për dekada të tëra.

“Ishte një ton që të habiste për një ministër të Jashtëm gjerman”, tha Jonathan Hackenbroich, analist i Shoqatës Evropiane të Politikës së Jashtme. “Ai e tha vetë në fjalën e tij: atij nuk ia kishte marrë mendja kurrë, që do ta mbante një fjalim të tillë, veçanërisht në lidhje me marrëdhëniet transatlantike”.

Disa propozime integruese

Përgjigjja që ofroi socialdemokrati Maas është një “bashkim radikal i radhëve me Francën”, megjithëse dy shtetet më të mëdha të BE duhet të kenë kujdes, që të mos shfaqen në “pozicionin e mësuesit” për anëtarët e tjerë të BE. Në lidhje me migrimin, ai kujtoi që Berlini u flet me gisht tregues shteteve evropianolindore.

BE duhet të bëjë më tepër se sa “të shtrëngojë disa vida në aparatin e Brukselit”, tha Maas, “blloku duhet ta ndryshojë mentalitetin e tij”, jo së fundi sepse janë radikalizuar kohët përmes nacionalizmit, populizmit dhe shovinizmit.

“Na nevojitet më shumë Evropë, jo më pak Evropë, veçanërisht tani”, tha ai.

Maas tha më tej se është e rëndësishme që kufijtë brenda BE të qendrojnë të hapur dhe të lirë – dhe kjo të bëhet duke mbrojtur kufijtë e jashtëm të BE. “Për një kohë tepër të gjatë e kemi lënë Italinë dhe Greqinë vetëm me këto detyra”, tha ai.

Taksa të BE?

Këtë mund ta kuptosh si një goditje ndaj kolegut të tij konservator, ministrit të Brendshëm Horst Seehofer, i cili aktualisht ndodhet në një situatë të tensionuar marrëdhëniesh me Kancelaren Angela Merkel lidhur me një plan për dëbimin e azilkërkuesve që në kufirin gjerman.

Gjermania dhe Franca kanë shpërndarë tashmë disa ide për një bashkëpunim më të ngushtë evropian, siç është një taksë për transaksionet financiare. Kjo do t’i jepte mundësi BE për herë të parë që të mblidhte drejtpërdrejt taksa.

Të mërkurën Maas u shpreh edhe për idenë e një page minimale të garantuar në BE, për të luftuar papunësinë në shtetet e hapësirës së Mesdheut. Si edhe për kompensimin e taksave të sipërmarrjeve në të gjithë BE./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb