Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ishte sot i pranishëm në Zyrën Operacionale të Situatës për raportim të Task Forcës.

Ai tha se objektivi kryesor i Policisë së Shtetit ishte monitorimi deri në skajin më fundor gjeografik të vendit nga toka e ajri për praninë e kanabisit si dhe goditja e grupeve kriminale.

Çako shtoi se policia në momentin që flasim është në një situatë pothuajse të plotë kontrolli.

“Objektivat kryesore të policisë së shtetit, si rezultat i punës së bërë, monitorimit deri në skajin më fundor gjeografik nga toka e ajri, jemi në një situatë plotë kontrolli. Të gjitha strukturat e shtetit vijojnë kontrollin në vendet ku mund të mbillen fidanë kanabisi, janë kryer 3700 kontrolle. Evidentimi dhe goditja e grupeve kriminale që synojnë të trafikojnë lëndën narkotike. Janë angazhuar të gjitha forcat e policisë në kuadër të kësaj pune, qoftë për të dëmtuar asetet që janë krijuar nga shitja e trafikimi i lëndë narkotike. Po hetohen 5 grupe të strukturuara kriminale, janë evidentuar pasuritë e asetet kudo që i kanë, shtëpi, truall, automjete, biznese.

Policia e Shtetit është e vendosur për ta finalizuar me sukses këtë betejë si dhe të çojë përpara gjykimit ata zyrtarë që nuk kryejnë dertyrën si duhet,” tha Çako.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako:

Bazuar në një nga prioritet dhe objektivat kryesore të Policisë së Shtetit gjatë këtij viti, në vlerësim të porosive te dhëna nga Kryeministri i vendit gjatë gjithë kohës e në veçanti në takimin e datës 18 korrik , si rezultat i punës së bërë me informacionin policore, sensibilizimin e gjerë, monitorimin nga ajri dhe toka si edhe intensifikimin e kontrolleve policore deri ne skajin me fundor gjeografik, duke marrë në konsideratë momentin e ciklit stinor të kultivimit të bimës narkotike cannabis sativa, arrijmë në konkluzionin se jemi në një situate të plotë kontrolli dhe me rezultate të pakrahasueshme ndër vite të këtij fenomeni.

Ndonëse stina e verës përbën periudhën më të rëndësishme në finalizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme të kultivimit, nga puna e bërë janë evidentuar edhe raste të shkëputura të kultivimit të fidanëve në kubik me të cilat është proceduar menjëherë duke arrestuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorët si dhe asgjësuar në vend konform procedurave bimët e kultivuara.

Duke pare këtë tendence të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit kanë vazhduar rikontroll total të territorit sidomos ne ato ambiente ku mund të kultivohen fidanëve të bimës narkotike cannabis sativa si në sera diellore, tunele të braktisura, dhe çdo ambient tjetër.

Deri tani janë ushtruar 3711 kontrolle, janë angazhuar 691 grupe kontrolli me pjesëmarrjen e 2602 punonjës Policie, janë identifikuar dhe asgjësuar 2064 fidanë kubikë të cilat ishin përgatitur për tu kultivuar.

Një element shumë i rëndesishëm i Planit të Veprimit te Qeverise, për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit te cannabisit ka qënë dhe mbetet evidentimi, zbulimi, dokumentimi dhe goditja e grupeve kriminale te cilët merren me kultivimin dhe ne veçanti trafikimin e lëndëve narkotike.

Në ketë drejtim puna e strukturave të Policisë se Shtetit është përqendruar në dy aspekte të karakterit profesional,

Së pari, hetimet proaktive të grupeve kriminale te kultivimit të bimëve narkotike, te cilët organizohen në formë të strukturuar dhe nxisin kultivimin, grumbullimin dhe me pas trafikimin e lëndëve narkotike.

Gjatë këtij viti si rezultat i këtyre hetimeve janë goditur 40 raste me informacion policor nga të cilat 11 janë me metoda speciale te hetimit.

Për këtë qellim ne Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është krijuar edhe një sektor i posaçëm i cili ka për objekt organizimin e punës dhe koordinimin e hetimit me të gjitha strukturat e policisë së shtetit po dhe me agjencite e tjera të zbatimit të ligjit për parandalimin dhe goditjen e veprave penale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Ne këtë kuadër janë dhënë detyra dhe angazhuar të gjithë punonjësit e policisë ne marrjen, administrimin dhe transmetimin e informacionit.

Së dyti, hetimet proaktive dhe goditja e grupeve kriminale që merren me trafikimin e marjuanes së prodhuar, dhe njëkohësisht ajo çka është me rëndësishme në ketë proces hetimi i aseteve pra i pasurisë që është krijuar si rezultat i këtij aktiviteti kriminal, qofshin këto për individë apo grupe kriminale të goditura nga policia brenda vendit apo nga policitë e vendeve të tjera.

Gjatë këtij viti nga Policia e Shtetit janë kryer 1620 verifikime pasurore të subjekteve dhe familjarëve të tyre, të dyshuar për kryerje të veprave penale të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike marijuanë, janë bërë 9 referime, në Prokurorinë për Krimet e Rënda Renda, janë dërguar 6 relacione me indicie për hetime pasurore në Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.

Po kështu nga ana e Policisë së Shtetit, aktualisht janë referuar në Prokurori dhe po bëhen hetime pasurore për 5 grupe kriminale të cilët dyshohet se merren me prodhim, shitje dhe trafik lëndësh narkotike marijuane. Janë identifikuar pasuritë dhe astetet e tyre si, shoqëri tregtare, hotele, lokale, banesa, toke truall, automjete etj.

Nga hetimet pasurore në fushën e prodhim, shitje dhe trafikut të marijuanës, nga Gjykata për Krimet e Rënda gjatë kësaj periudhe është bere konfiskimi për 2500 m2, tokë truall ndërtimi dhe 3089 m2, ndërtim.

Duke vlerësuar maksimalisht faktin se goditja dhe shkatërrimi i grupeve kriminale realizohet përfundimisht me konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve te vendosura nga këto veprimtari, për këtë kërkohet bashkëpunim me i ngushtë Polici – Prokurori dhe institucionet e tjera ligjzbatuese dhe gjykata.

Për të përmirësuar këtë bashkëpunim, por dhe për ti dhënë përparësi hetimit të këtij kriminaliteti propozojmë ngritjen e task-forcave së bashku me Prokurorinë.

Qëllimi task –forcave do të jetë hetimi i veprave penale në fushën e drogës për lëndët narkotike cannabis sativa/marijuanë të tilla si:

• prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike (në këtë rast e marjuanes);

• trafikimi i narkotikeve (në këtë rast i marijuanes (eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike (marijuanës) si dhe farërave dhe i bimëve narkotike;

• parandalimin dhe goditjen e veprave penale të mësipërme, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë (konfiskimit të pasurisë);

Policia e Shtetit është e vendosur dhe po bashkëpunon me të gjithë institucionet shtetërore, administratës publike dhe ato private, për ta finalizuar me sukses këtë betejë, ashtu siç është e vendosur që të çojë përpara përgjegjësisë penale edhe ata zyrtarë dhe punonjës të shtetit, apo punonjës policie të cilët nuk zbatojnë detyrimet që kanë në bazë të Planit Kombëtar të Veprimit “Kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017 – 2020”.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: