TIRANE– Përdorimi i faturave tatimore kompjuterike të TVSH-së, lejohet kur tatimpaguesi është i aftë të lëshojë fatura tatimore kompjuterike për çdo transaksion të tatueshëm, me numër serial unik dhe të papërsëritshëm, të printuara nga sistemi i tij i regjistrimeve.

Për të ushtruar këtë të drejtë, tatimpaguesi paraprakisht duhet të depozitojë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve:

a) një kërkesë me shkrim të shoqëruar me deklaratën ose vërtetimin përkatës, në të cilin tregohet se sistemi i tij i regjistrimeve është i kompjuterizuar dhe i aftë të prodhojë fatura tatimore me numër serial unik dhe të papërsëritshëm për çdo transaksion;

b) Modelin e faturës kompjuterike që kërkon të përdorë, e cila duhet të përmbajë elementët dhe të dhënat e përcaktuara në ligjin për TVSH-në;

c) Tatimpaguesi tregon në kërkesën e paraqitur numrin e transaksioneve që parashikon të kryejë në një periudhë tatimore.

Pas miratimit të përdorimit të faturës tatimore kompjuterike të shitjes, tatimpaguesi menjëherë paraqitet dhe tërheq numrat serial në dispozicion pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar. Çdo faturë e lëshuar sipas modelit të miratuar duhet të përmbajë detyrimisht shënimin “Përdorimi i kësaj fature është miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve me shkresën nr… datë…”.

Për çdo ndryshim në modelin, përmbajtjen, formatin e faturës për të cilën është miratuar e drejta e përdorimit, personi i tatueshëm duhet të njoftojë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, pasi modeli i faturës së miratuar ruhet dhe bëhet pjesë e dosjes së tatimpaguesit. Nuk konsiderohet ndryshim përfshirja në sfondin e faturës ose në një sipërfaqe të caktuar të saj, e elementeve të reklamave, nëse ato nuk ndryshojnë formatin e faturës.

Kujdes! Nëse konstatohet se personi i tatueshëm ka keqpërdorur miratimin për përdorim të faturës tatimore kompjuterike, me qëllim shmangien e detyrimeve, ka lëshuar faturë jo sipas modelit që është miratuar nga Drejtoria e Përgjithshëm e Tatimeve, ose ka bërë ndryshime në faturë për të cilat nuk ka njoftuar apo nëse faturat e lëshuara nuk përmbajnë numër serial të miratuar, shënimin që tregon aktin referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me të cilin është miratuar, atëherë tatimpaguesi dënohet sipas dispozitave të Ligjit Nr 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, si dhe udhëzimit në zbatim të tij./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: